Sporti gjithnjë e ka pasur fuqinë e bashkimit dhe këtë pritet ta bëjë mes shqiptarëve. Fillimisht ishte ideja e një Kupe të përbashkët në futboll mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa tani pasohet edhe nga basketbolli. Kreu i FSHB-së, Avni Ponari, bëri me dije se po presin dritën jeshile nga FIBA për të organizuar një kampionat të përbashkët mes Shipërisë dhe Kosovës. E për të gjithë ata që ishin skeptikë mbi këtë çështje, dyshimet i shuajnë edhe vetë zyrtarët nga Kosova, duke hedhur poshtë mundësinë e një thashethemi mediatik.
Sekretarja e FBK-së, Elvira Dushku, mirëpret këtë plan, ndërsa zbulon për “Zëri.info” se këtë vit ishte planifikuar të organizohej dhe një turne i përbashkët me 4 ekipe. Situata e Covid-19 ka bërë që ky plan të pezullohej, megjithëse pritet të vihet në jetë në muajin shtator. Fillimisht bashkimi në basketball do të vijë nëpërmjet këtyre turneve, për të kaluar më pas në kampionatin e përbashkët, që duhet të marrë edhe aprovimin nga FIBA.
“Ka qenë në Plan të Aktiviteteve për vitin 2020 që në prill të këtij viti të fillojmë me organizimin e turneve me katër skuadrat më të mira nga Shqipëria dhe Kosova. Turne 3-4 ditor së pari në Kosovë dhe vitin tjetër në Shqipëri. Por, për shkak të pandemisë, janë anuluar të gjitha aktivitetet. Te femrat, e kishim paraparë që në shtator, dy skuadrat më të mira të Shqipërisë të takohen me dy skuadrat më të mira të Kosovës në formë turneu. Pra, ideja ka qenë në formë të turneve. Këtë vit, ne duhet ta anulojmë. Por, besoj se në shtator sërish do të ulemi dhe do të bisedojmë. Ka qenë projekt i përfshirë në FBK. Ka qenë një projekt interesant, por edhe i mirëseardhur për Federatën, edhe për skuadrat tona”, ka thënë Dushku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/