Federata Shqiptare e Futbollit mori një përgjigje negative nga qeveria shqiptare mbi kërkesën zyrtare për praninë e tifozëve në shkallët e “Air Albania”. Pavarësisht se me një kapacitet 30% dhe me respektimin e distancës sociale, sërish qeveria ka refuzuar të japë miratimin. Në një prononcim për “MCN TV”, Armand Duka është shprehur se duke parë situatën me grumbullimet masive në restorante dhe fushata elektorale, prania e tifozëve në një përballje si ajo me Anglinë nuk do të përbënte problem. Më tej kreu i FSHF-së ka theksuar se objektivi për Kombëtaren në këto kualifikuese është vendi i 2-të ose i 3-të në grup, si dhe më pas ka folur edhe për implementimin e sistemit VAR në kampionatin tonë.
“Duke parë respektimin e protokolleve në jetën shqiptare, nëpër bare plot, nëpër restorante plot, nëpër fushata me grumbuj njerëzish, nuk besoj se do ishte shumë e dëmshme që në cdo dy sedilje të kishte 1 spektator në stadium për ndeshjen kundër Anglisë. Duke parasysh që nuk është një kundërshtar që qëllon që vjen shpesh në Shqipëri, por edhe fakti që gjithë kjo periudhë e mbyllur, ndoshta do ishte ndryshe.
Ekipi jonë është një ekip i cili mund të konkurojë me të gjithë kundërshtarët me gjithë vështirësitë që ka. Nëse do flasim për rezultate në letër dhe jo në fushë, ajo që mund të ishte e kënaqshme për ne do të ishte një vend i 2-të apo i 3-të në grup.
VAR-i në Shqipëri? Jam shumë i bindur që nuk është në nivelet më të larta niveli i lojës se sa i arbitrimit. Zhvillohen në të njëjtën mënyrë dhe madje më mirë se sa vendet e rajonit. Unë dyshoj se futbolli do të jetë i bukur nëse nuk do ketë diskutime. Kështu që do jetë i bukur për sa të ketë diskutime. Ne do implementojmë VAR-in për sezonin e ardhshëm, që do minimizojë, por prapë do lërë diskutime”, është shprehur Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/