Barcelona mbërriti në Madrid dukshëm e dobësuar, prandaj Xavi vendosi që ekipi i tij të fokusohej në mbrojtjen e portës dhe pritën mundësitë nga kundërsulmet, të cilat përfundimisht e zgjidhën ndeshjen.
Momenti vendimtar i takimit erdhi në minutën e 26-të kur Kessie doli i vetëm përballë Courtois, i cili e mbrojti portën, por topi më pas preku Militaon dhe shkoi direkt në rrjetën e Realit. Edhe pas kësaj, Real Madridi kishte iniciativën në mesin e fushës, ndërsa Barcelona u mbrojt, diçka që nuk jemi mësuar ta shohim nga ai klub.
Mjafton të thuhet se Barcelona kishte pak më shumë se 30% posedim të topit, gjë që është vërtet e padëgjuar në historinë e fundit të klubit katalanas. Por në fund, Barça fitoi, që është padyshim gjëja më e rëndësishme për ta.
Nga ana tjetër, klubi mbretëror nuk arriti asgjë me lojën e mbrëmshme, edhe pse kishte rolin e favoritit, duke qenë se Barcelona luajti me një skuadër të dobësuar, por lojtarët e Realit nuk e shfrytëzuan këtë.
Për herë të parë që nga viti 2010, Reali e mbylli ndeshjen në shtëpi pa një goditje në portë, gjë që flet shumë për ta. Megjithatë, Courtois mendon krejtësisht ndryshe dhe shumë janë të befasuar nga ajo që tha belgu pas ndeshjes.
“Barcelona fitoi pa merituar sonte sepse ne ishim shumë më mirë. Ata u mbrojtën mirë dhe unë mund t’i përgëzoj vetëm për këtë. Ata kanë pësuar shumë pak gola në La Liga me këtë mbrojtje. Megjithatë, ne ishim më të mirë dhe duhej të kishim fituar”, tha Courtois. /Sport Ekspres/