Trajneri i Lushnjes, Artan Bano, e ka pranuar qetësisht humbjen në Korçë ndaj Skënderbeut, ndoshta e llogaritur, duke parë forcën e kundërshtarit dhe mungesat e Lushnjes.
“Duke pasur parasysh forcën dhe cilësinë e Skënderbeut, është një humbje e pranueshme. Skuadra ishte e lodhur fizikisht, duke luajtur të enjten, ndërkohë që kishim mungesa. Kishte edhe Skënderbeu mungesa, por dihet që ata kanë një stol shumë më të pasur se ne dhe i përballojnë mirë mungesat.
“Ne duhet të punojmë shumë, për të rregulluar diçka, sepse pa dy-tre futbollistë është shumë e vështirë, por besoj se Lushnja shumë shpejt do të fillojë të fitojë, sepse futboll po luan mirë.
Kampionati nisi vonë, ishim dakord edhe ne, por një nga arsyet që e kërkuam fillimin me vonesë që të kishim pak kohë për të gjetur ndonjë futbollist në merkato. Arsye tjetër ishte që nuk kishim gati stadiumin, ndaj shpresonim të luanim sa më shpejt në fushën tonë. Për sa i përket lojës, është ndryshe të luash me Partizanin e ndryshe me Skënderbeun, sepse korçarët luajnë futboll të hapur dhe mund të kishim shanse në sulm, por e patëm shumë të vështirë, për shkak edhe të mungesave. “Me Partizanin morëm pikë dhe kishim përballë një skuadër me mbrojtje më të dobët se Skënderbeu, ndaj i kishim mundësitë për t’u mbrojtur dhe kundërsulmuar”.