Migjen Skënderaj, një nga ish-lojtarët e spikatur puro mallakastriotë, por edhe ish-trajner te Bylisi në periudha të ndryshme ndihet i emocionuar kur shikon fushën e vjetër në qendër të qytetit, që është kthyer në një mini-stadium modern
Erjon Saliu
Në Ballsh futbolli është kthyer në qendër të vëmendjes. Jo vetëm skuadra, që po ta krahasosh me shumë qytete më të mëdha se Ballshi apo dhe bashki më të fuqishme është në nivel të pranueshëm, e madje shpesh edhe pretendente. Madje, duke luajtur denjësisht edhe në Superiore e duke qenë shumë para me disa ekipe më me emër. Ballshi së shpejti, punë ditësh, apo më saktë orësh do të ketë gati një impiant modern, nga më të mirët në vend, madje, madje mund ta quash edhe një stadium të vogël. Sepse fusha është me parametrat e duhura, me bankina e dhoma zhveshje moderne, por edhe disa shkallë në ballore. Një impiant që do të shfrytëzohet nga skuadra e parë dhe moshat.
MIGJEN SKËNDERAJ – Por, mjaft i emocionuar është Migjen Skënderaj, ish-lojtari i Bylisit para disa dekadave, apo dhe ish-trajner në Ballsh. Ai përgëzon investimin kolosal nga Bashkia e Mallakastrës, por me nostalgji tregon edhe kohën kur ka luajtur vetë në atë impiant të shndërruar totalisht: “Një ëndërr që po bëhet realitet. Edhe pak ditë dhe kjo fushë dhe ky ambient i mrekullueshëm do të jetë në shërbim të qytetarëve të Ballshit dhe fëmijëve. Falënderime për Bashkinë Mallakastër, USAID dhe FSHF-në. Dikur bëheshim me baltë, nga koka te këmbët, sot…ta gëzoni e ta trashëgoni brez pas brezi”,-kanë qenë fjalët emocionale të Migjen Skënderajt.
Fakti që po ndërtojnë një aneks nga më modernët në vend ka bërë që në Ballsh për sezonin e ardhshëm të nisë edhe organizimi i futbollit të moshave. Siç edhe bëhet e ditur janë Bashkia e Mallakastrës dhe presidenca e Bylisit që kanë menduar të ndërtojnë Akademinë. Me ekipe qe do te marrin pjesë në kampionatet e moshave të zonave amatore por edhe zyrtare në rang vendi. Madje duke filluar qe nga moshat 10 vjeç e deri në 17-18 vjeç, në mënyrë qe të në skuadrën e parë të ketë sa më shumë lojtar ballshiotë. Në sezonin e shkuar janë aktivizuar: Zotaj, Mehmetaj, Lutaj, Sinaj, Hoxhaj, ndërsa synohet që ky numër të shtohet me rikthimin e Kodhelajt e Kapllanajt. Ndaj edhe trajnerët Agim Meta e Nikollaq Divia, nga duart e të cilëve kanë dalë shumë talente, tashmë do ta kenë edhe më të lehtë punën e tyre.
SITUATA – Ballshiotët aktualisht janë me pushime, por presidenca është aktive duke kontaktuar çdo ditë me futbollistë cilësorë vendas dhe të huaj. Ballshiotët kanë në planet e tyre kualitete nga Superliga, ndërsa skuadra pritet që të dalë në fushën e lojës fillimisht me bazën e lojtarëve që luajtën vjet në të Parën. Bylisi i sezonit të ardhshëm [ritet që të jetë një skuadër solide dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë presidenca që ka në projekt përmirësimin e infrastrukturës në stadium dhe aneks, por edhe merkaton, ku nga sa bëhet e ditur do të ketë disa blerje dhe bëhet fjalë për futbollistë që kanë spikatur në Superligë në sezonin e shkuar.
MERKATO – Presidenca e Bylisit ka menduar që të bëj 4-5 afrime në këtë merkato vere. Nga sa bëhet e ditur, pritet që të ketë vetëm 2-3 largime nga Bylisi. Kështu pas brazilianëve Granado e Gregati, mund të jetë edhe ndonjë futbollist qe nuk ka bindur klubin për të qenë pjesë e projektit të sezonit te ardhshëm. Nga sa bëhet e ditur, bëhet fjalë për ndonjë titullar por edhe nga stoli i rezervave. Merkato e Bylisit do të jetë e përqendruar te futbollistët cilësorë, nga ata që kanë spikatur në sezonin e shkuar në Kategorinë e Parë por do të afrohet edhe ndonjë element nga kategoria e parë. Në ditët e para të qershorit, presidenca do të bëj të ditura edhe zyrtarizimet e para sepse në korrik do të nis puna për sezonin e ri ku skuadra do të nisë përgatitjet më herët nga viti i shkuar.