Amido Balde u afrua në janar si një alternativë në sulm, megjithatë periudha e gjatë pa luajtur dhe dëmtimet nuk e lanë asnjëherë që të përligjte besimin e drejtuesve të Kukësit. Shtatlarti nuk ishte as në stol në ndeshjen e fundit me Flamurtari dhe normalisht në Kukës nuk mund të investojnë tek një lojtar që nuk garanton, aq më tepër që pretendimet e tyre janë madhore në Kupat e Europës. Burime pranë klubit të Kukësit bëjnë me dije se Balde dhe verilindorët do të ndërpresin kontratën. Sulmuesi luajti vetëm në 8 takime, saktësisht 219 minuta, duke shënuar dhe dy gola, ku duhet veçuar ai i shënuar me Lushnjen në fazën e katërt që i dha dhe fitoren skuadrës së Peter Pakult. 27-vjeçari shënoi dhe në përballjen me Vllazninë pak ditë më parë, por shkodranët përmbysën gjithçka, duke e zhvlerësuar golin e tij. Takimi në “Loro Boriçi” duket se ka qenë i fundit për lojtarin nga Guinea-Bisao. Duket se ishte një tjetër sezon i dështuar për Baldenë, i cili duhet të kërkojë “ringjalljen” në një tjetër skuadër.