Nedim Bajrami po shkëlqen këtë sezon me fanellën e Empolit. Vështirësitë e fillimit të kampionatit tashmë janë hedhur jashtë krahëve dhe momentalisht është një nga më të mirët në rolin e tij në Serie A. Jo më kot pas tij janë vënë ekipe me emër në futbollin e shtetit fqinj. Sytë e ekipeve të mëdha të Serisë A janë kthyer nga 22-vjeçari, që po vëzhgohet nga Juventusi, Napoli dhe Lacio.
Ndërkohë përpjekje konkrete për ta transferuar këtë muaj ka bërë edhe skuadra e Sasuolos, që udhëhiqet nga ish-trajneri i Bajramit. Megjithatë lojtari i Kombëtares kuqezi duket se e ka bërë zgjedhjen e tij. Sipas Xhanluka Di Marzios, Nedim Bajrami i ka thënë “jo” Sasuolos dhe ka vendosur të qendrojë te Empoli deri në fund të sezonit. Më pas në verë do të marrë kohën e tij për të zgjedhur qetësisht të ardhmen, teksa është i vetëdijshëm se me një ritëm të tillë ofertat nga klubet e mëdha nuk do të mungojnë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/