Besëlidhja vijon stërvitjen në kuadër të javës së 18-të të kampionatit, që është edhe java e fundit e fazës së dytë. Javën e fundit të fazës së dytë, kalendari i ka rezervuar Besëlidhjes ndeshjen ndaj Dinamos. Një duel interesant, ku të dyja skuadra luftojnë për të mbetur në pesëshen e parë dhe për këtë lezhjanëve ju duhet pa tjetër fitorja, në të kundërt sezoni dështon…!
BAJIÇ – Sulmuesi serb Kosta Bajiç është i qartë që vetëm fitorja vlen. Këtë e shprehu gjatë një bisede për “Sport Ekspres”, duke thënë: “Në fundjavë do të ndeshemi me Dinamon, një ndeshje vendimtare për fatet tona, për të mbetur në pesëshen e parë gjatë fazës së tretë. Mbetja në pesëshen e parë do të thotë pretendim për një vend në Superiore, pasi edhe diferencat mes skuadra ngushtohen nga përgjysmimi i pikëve, ndërsa zbritja në pesëshen e dytë do të thotë luftë e ashpër për mbijetesë sepse me pikët ndodh e njëjta gjë si në pesëshen e parë.
“E patëm në dorë që këtë siklet ta hiqnim “qafe” që në Peshkopi ndaj Korabit, pasi ne luajtëm mjaft mirë, por nuk ja dolëm që të shënonim. Tani po punojmë intensivisht në stërvitje për t’u karikuar nga të gjitha pikëpamjet që të shtunën ndaj Dinamos të jemi sa më në formë për të marrë atë që na takon, pra fitoren. Besëlidhja do të fitojë me Dinamon dhe unë kam besim se ne do të jemi në pesëshen e parë”,-ka thënë dje Kosta Bajiç.