Bajer Leverkuseni ka marrë një fitore me goleadë kundër Karabakut në ndeshjen e sotme të vlefshme për Ligën e Europës. Gjermanët kanë mposhtur me shifrat e thella 5-1 kampionët e Azerbajxhanit. Festivali i golave nisi që në minutën e 4-t, kur Virtci zhbllokoi rezultatin për “aspirinat”. Karabaku barazoi me anë të Bajramovit në minutën 16 nga pika e bardhë e penalltisë, por ky do të ishte i vetmi çast i lumtur për ta gjatë ndeshjes.
Grimaldo (29’, 54’), Boniface (35’) dhe Tapsoba (57’) fiksuan shifrat në 5-1. Bajeri i Leverkusenit “i fshehu” topin azerëve, teksa statistikat flasin të gjitha për ta. Gjermanët kontrolluan topin për 62% të kohës, si dhe numëruan 21 gjuajtje, ndër të cilat 11 shkuan drejt kuadradit. Në krahun tjetër, Karabaku pati vetëm 3 gjuajtje, ku 2 prej tyre ishin në kuadrat. Minuta në këtë sfidë pati edhe për Redon Xhixhës, i cili u aktivizua në minutën e 71-të. Sulmuesi shqiptar provoi në fushë forcën e madhe të Xhakës me shokë./Halit Deliashi-Sport Ekspres/