Në fushën sportive të ish-lagjes 7 nuk do të luhet më futboll. Banorët akuzojnë Bashkinë se ka dhënë leje për kompleks banimi
“Grabitet” nga betoni një tjetër fushë futbolli në Tiranë! Në Laprakë, mësohet se do të zhduket fusha historike e futbollit. Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Bashkia Tiranë, banorët e kësaj lagje japin alarmin se fusha e sportit, që tani është katandisur sa gjysma e madhësisë së dikurshme, ka ndryshuar destinacion. Shumë shpjet fusha te stacioni i autobusit (siç i thonë lapraksit) do të kthehet në pallate dhe mesa duket kjo është e vërtetë. Në një postim në “Facebook”, grupimi “Lapraka foleja e tifozave të Partizonit” zbulon skandalin. “Lajm i keq. Shumë shpejt fusha e Laprakës do të prishet. Bashkia jep leje ndërtimi për kompleks pallatesh në fushën e lagjes. Banorët e Laprakës nuk e lanë në 1992-in dhe as në 1997-ën të prishej fusha. Mbrojtën me fanatizëm fushën që kemi sot. Ndërsa, Bashkia ka shpalosur projektin e pallateve që do të ndërtohen aty ku sot është fusha”, shkruante grupimi në “Facobook”. Në fakt, edhe pse nuk ka të dhëna më të plota, fushës i ka dalë pronari dhe ata duan që të bëhen pallate mbi këtë truall.
Dokumentet të çojnë te pallatet
Dhe menjëherë komuniteti laprakas ka gërmuar për këtë krim, duke gjetur dokumentet që paralajmërojnë ndërtimin e pallateve. Grupimi i banorëve të Laprakës në “Facebook”, “Je lapraks i vjetër vetëm nëse….” ka denoncuar me detaje planin për ndërtimin e pallateve mbi fushën e futbollit. Mësohet se për pasurinë e paluajtshme, që i përket në hipotekë, fushës së futbollit, mes pronarëve të tokës dhe firmës “Salillari” Shpk, është lidhur një kontratë sipërmarrje me nr. dok. 15427 dhe kontratë sipërmarrje nr. 3050/651 datë 23.10.2017, për ndërtim mbi këtë truall të disa pallateve. Fakti që e vërteton se kjo kontratë sipërmarrje i përket fushës së futbollit konfirmohet nga kartela e pasurisë së paluajtshme me numër 9/177, e me adresë rruga “Gjergj Legisi”. Kontrata përfshin sipërfaqen totale prej 5388 m2 tokë dhe ka si qëllim ndërtim pallatesh. Më qartë se kaq, nuk ka. Privati kërkon të gllabërojë edhe atë pjesë të mbetur të fushës së futbollit, këtë herë me firmën e shtetit. Dhe ky do të ishte krimi i radhës për sportin dhe për Laprakën, që dikur ambiente sportive kishte pa fund, duke filluar nga dy fushat e mëdha me përmasa olimpike, pistë atletike, dy fusha të hapura basketbolli e volejbolli, fushat sportive të shkollës Ahmet Gashi(ish-Ylli i Kuq) së kësaj lagje dhe mini-stadiumin te Shkolla e Partisë, së bashku me gjithë fushat ndihmëse dhe këndin sportiv.
Banorët: Bashkia të mos heshtë
Banorët e Laprakës po reagojnë ashpër. Ata kërkojnë nga Bashkia të qartësojë vendimin e saj, nëse do të japë leje ndërtimi apo jo mbi këtë truall. Në rrjetet sociale dhe jo vetëm ata, kanë iniciuar një peticion për të ndaluar prishjen e fushës së futbollit. Madje, ata po bëjnë të pamundurën për të bllokuar ndërtimin e pallateve mbi truallin e fushës. “Duket qartë qëllimi(ndërtimi i pallateve), por se sa do të arrihet kjo, varet nga qytetarët e Laprakës. Shpresojmë që Bashkia të mos korruptohet, duke shkelur ligjin, i cili nuk lejon tjetërsimin e ambienteve sportive. Shpresojmë që Bashkia të refuzojë kërkesat për leje ndërtimi mbi fushën e sportit Laprakë dhe të bëjë publik qëndrimin e saj, për një çështje kaq delikate”, shkruanin banorët në rrjetet sociale.