Kombëtarja mbylli me sukses 3 ndeshjet e muajit shtator dhe tashmë i lë skenën Kategorisë Superiore. “Aroma“ e elitës së futbollit shqiptar ka nisur të ndihet, teksa nesër luhet ndeshja e parë për sezonin e ri. Një sezon ky që nis me një supersfidë si ajo mes Teutës dhe Partizanit. Dy ekipe që do të synojnë deri në fund titullin kampion përplasin forcat në “Elbasan Arena” nesër në orën 19:45.
Java e parë e Superiores do të ndahet në tre ditë, teksa nis nesër dhe përfundon ditën e dielë. Dueli Teuta-Partizani do i lërë më pas vendin dy përballejeve të tjera. Tirana-Skënderbeu dhe Laçi-Vllaznia do të luhen një ditë më pas, të shtunën, në orën 13:45. Ndërkohë dita e dielë mbyll serinë e ndeshjeve të javës së parë me dy sfidat, Egnatia-Kukësi dhe Kastrioti-Dinamo, të dyja do të zhvillohen në orën 13:45./Halit Delibashi-Sport Ekspres/