Kur thuhet që Franca është pretendente për të fituar Kupën e Botës, kjo vjen natyrisht për lojtarët cilësorë që ka dhe janë aq të shumtë, saqë shumë ulen në stol e shumë mbeten në shtëpi, lojtarë që do ishin titullarë në thuajse çdo kombëtare tjetër.
Natyrisht, Didjë Deshamp ka detyrën që yjet t’i bëjë bashkë në një ekip dhe nuk është e lehtë, sepse Franca ka cilësi pa fund, por janë lojtarë që rrallë luajnë bashkë.
Sot debutimi kundër Australisë shkoi mbarë, me një fitore 2-1, por vuajtjet ishin të paparashikuara. Australia luajti një ndeshje burrërore, nuk u tremb përveç fillimit të drojtur të ndeshjes dhe realisht nuk vidhte asgjë, nëse merrte pikë.
Ishte ndeshja e parë në histori ku VAR akordoi një 11-metërsh, shënuar nga Grizman, ndërsa Umtiti e dëshpëroi Francën me një penallti të dhuruar në mënyrë naive pak momente pas avantazhit.
Gjithsesi, 9 minuta para mbylljes Pogba shpiku një gol të çuditshëm, me një trajektore befasuese që dëshpëroi Australinë luftarake, që gjithsesi del me kokën lart, sepse paska ekip shumë interesant.
FRANCË – AUSTRALI 2-1
Shënues: Grizman 58′ pen., Pogba 81′ / Xhedinak 61′ pen.
81′ GOL FRANCA! Me shumë vuajtje, Franca gjen hapësirën e duhur për të goditur sërish. Australia po mbrohej shkëlqyeshëm dhe Deshamp ndryshoi thuajse gjithë sulmin, por heroi është Pol Pogba! Depërtim nga mesfusha, gjuajtje brenda zone me një trajektore që kap në befasi portierin australian, por edhe gjithë stadiumin, sepse dukej sikur Franca nuk kishte më ide dhe forcë. Gol me fat, por fati shpesh ndihmon më të fortin!
BUUUUUUUUT DE PAUL ZINEDINE POGBA #FRAAUS pic.twitter.com/telqSLPdq3
— Sainté ?? (@mathieunuque) June 16, 2018
61′ AUSTRALIA BARAZON! Sërish penallti, këtë radhë VAR nuk duhet. Umtiti ndal me dorë topin në zonë, në mënyrë të pakuptimtë. Penallti, Xhedinak nuk gabon dhe 1-1!
55′ MOMENT I RËNDËSISHËM! Pogba pason për Grizman, i cili ndalet në zonë. VAR përdoret për herë të parë për një moment kaq delikat në Kupënm e Botës dhe është 11-metërsh, që Grizman e transformon me qetësi.
PUSHIMI I NDESHJES – 45 minuta me shumë lëvizje dhe pak raste për gol. Franca e nisi shumë mirë në aspektin e lojës, duke tentuar kombinime pa fund, ndërsa Australia dukej e pafuqishme. Megjithatë, pak nga pak australianët e gjetën ritmin e duhur dhe përfituan nga mefshtësia e Gjelave në sulm, ku Mbape e Grizman nuk po gjejnë hapësirë. Paraqitje mjaft e mirë e Australisë, ndërsa Franca tregon se talentet pa fund nuk mjaftojnë për të fituar lehtësisht, sepse duhen kthyer në një ekip të vërtetë. Asnjë gjuajtje drejt portës së Australisë pas minutës së 10-të është sinjal shqetësues.
35′ Tifozët australianë po dominojnë në tribuna. Ndoshta nuk e prisnin një ndeshje kaq të mirë nga skuadra e tyre, edhe pse në sulm Kangurët nuk kanë forcë.
30′ Pak nga pak Australia po e ekuilibron ndeshjen, duke dalë në mesfushën kundërshtare. Franca ka klas pa fund, por asnjë hapësirë në mesfushën e dendur australiane.
20′ Kalon thuajse gjysma e pjesës së parë, Franca dominuese në çdo drejtim dhe Australia është e detyruar të mblidhet pas, duke bllokuar sulmet e Francës, që po kërkon hapësira.
Nis aventura botërore për Francën e Australinë, në një orar të pazakontë në Kazan, në orën 12.00 me orën tonë.
Franca paraqitet me sulmin e frikshëm Dembele, Grizman e Mbape, ndërsa Australia në mesfushë të mbingarkuar për të ndalur ofensivën franceze.