Para fillimit të ndeshjes, trajnerët Lika dhe Begeja kanë qëndruar së bashku në pankinën gjirokastrite duke biseduar. Rrallë vëzhgonin futbollistët në fushë. Begeja në sezonin futbollistik 1999-2000 ka qenë lojtar i Luftëtarit, vit në të cilin Luftëtari kishte po president Grigor Tavon. Ndërkohë edhe Lika ka drejtuar Teutën në të shkuarën.
-Në tribunën VIP, presidenti Tavo shoqërohej edhe nga vëllai i tij Vangjeli, që mungonte prej kohësh. Numri një i klubit u largua i fundit nga tribuna, sigurisht jo i kënaqur për barazimin, por beson se mund ta kapin Europën. “E prisja reagimin e Teutës, por rëndësi ka edhe fakti që gjykimi nuk ndikoi në rezultat”, tha Tavo.
-Përveç policisë vendore, kishin ardhur edhe 30 forca policore të FNSH të Fierit. Ata u dukën vetëm në fillim në fushë dhe në fund të ndeshjes në dalje të tribunës qendrore. Nuk pati asnjë moment acarimi që të kërkohej ndërhyrja e tyre.
-Në pushim të dy pjesëve të ndeshjes, Dediç i Teutës, si dhe përgatitësi i portierëve të Luftëtarit, Jovanoviç, qëndruan duke biseduar, pasi janë bashkëkombas.
-Në shkallët e stadiumit, midis tifozërisë vendase, ishte ulur edhe bashkëshortja e futbollistit brazilian Aurelio. Ajo ishte bashkë me dy vajzat dhe djalin një-vjeçar.