Atsina refuzon Vllazninë B, çështja drejt FIFA-s

Sulmuesi nuk është në planet e stafit teknik, por ka kontratë deri në fund të sezonit
Çarles Atsina u afrua në verë te Vllaznia dhe u shpresua shumë që të zgjidhte hallet e sulmit shkodran. Fillimisht pati probleme dëmtimi, madje u mendua se e kishte mbyllur sezonin. Një dëmtim në gju e shqetësonte, por ia doli të rikuperohet dhe të luante disa ndeshje me kuqeblutë. Atsina është hedhur në fushën e lojës në 10 takime, nëntë herë si titullar, ndërsa golat i ka me pikatore, madje ka shënuar vetëm në një ndeshje. Dy golat me Kukësin në “Zeqir Ymeri” janë e vetmja shenjë e lënë prej tij, ndërkohë që mund të mbahet mend edhe për rastin që i prishi Hasanit në ndeshjen me Skënderbeun në Korçë. Te Vllaznia nuk e kanë në plan, por kontratë është kontratë dhe nuk mund të ndërpritet me një fjalë goje.

SITUATA
“Ky lojtar nuk do të jetë më pjesë e jona. Pretendonim shumë nga ai futbollist, por nuk na dha gjë. Në planet e skuadrës A nuk është më, ndoshta i shërben Vllaznisë B”, kështu u shpreh trajneri Ernest Gjoka para se të nisej në fazën përgatitore në Ulqin, duke treguar fatin e këtij lojtari. Festat e fundvitit sulmuesi i kaloi pranë familjes së tij, ndërkohë që tashmë ndodhet në Shkodër. Nga ana e klubit kuqeblu i është kërkuar sulmuesit të stërvitet me ekipin e dytë, por diçka të tillë ai e nuk e ka pranuar, me pretendimin se te Vllaznia ka ardhur për më shumë dhe jo për këtë. Në këto kushte, nëse nuk ka një dakordësi për ndërprerjen e kontratës, çështja mund të shkojë në FIFA dhe lojtari madje po e mendon si opsion. Për momentin dy gjëra janë mëse të qarta: Vllaznia s’e ka në plane sulmuesin dhe se kontrata është e vetmja gjë që i lidh palët. Gjithsesi duhet bërë kujdes, pasi një borxh tjetër në klub nuk i sjell aspak të mira kuqebluve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *