Mbrojtësi dhe kapiteni i Fiorentinës është vetëm tragjedia e radhës në futboll, ku ndër vite ka pasur lojtarë që janë ndarë nga jeta në fushë, dhomat e zhveshjes apo edhe në krevatin e shtëpisë
Të rinj, robustë, kampionë, në disa momente, edhe në sytë e më të rinjve, heronj të pashkatërrueshëm. Ndosha edhe për këtë, vdekjet e tyre kanë qenë gjithmonë shokuese dhe tronditëse. Davide Astori, kapiteni i Fiorentinës dhe prej 10 vitesh në futbollin profesionist, i ndarë nga jeta në moshën 31-vjeç, nuk i shpëton kësaj logjike, duke shtuar kështu një listë të zezë me futbollistë që janë ndarë nga jeta shumë shpejt, në fushë, dhomat e zhveshjes apo edhe në krevatin e shtëpisë. Misteri dhe tragjedia bashkë me atë që ka goditur mbrojtësin vjollcë dhe që risjell ndër mend tragjedi dhe kronika të tjera sportive të viteve të fundit.
Si ajo që në Itali i mori jetën Piermario Morozinit në vitin 2012, që u godit nga një atak kardiak gjatë Livorno-Peskara. Përpara tij kishin humbur jetën Dani Harke, kapiteni i Espanjolit, që ishte në telefon me të dashurën kur, në grumbullim në Koverçiano, vdiq për një atak kardiak. Por, lista e zezë e të vdekurve në futboll është e gjatë. Në kujtesën e të gjithëve, tragjedia e Xhuliano Takolas, sulmuesi i Romës, që një infarkt e gozhdoi në dhomat e zhveshjes në Kaljari, ndërsa më pas vdiq në ambulanc. Ishte viti 1969 dhe nga atëherë nuk ishte më e njëjta gjë. Edhe pse ishte precedenti i Ferraris IV, mesfushori kampion bote, që vdiq në fushë për infarkt, ndërsa luante me “Lavditë e Vjetra”, në moshën 43 vjeç.
Ai që rihapi plagët, me një tjetër tragjedi, Renato Kuri. Emri i stadiumit të Peruxhias sot, që më 30 tetor 1977, teksa luhej Peruxhia-Juventus dhe binte shumë shi, një vrapim i shpejtë i mori jetën… Kuri ra në tokë dhe nuk u çua më. Zemra e tij ndaloi në orën 15:34.
Spanja e mijëvjeçarit të ri është ende nën shok për ndarjen nga jeta të Antonio Puertas, futbollisti i Spanjës dhe Seviljes, që vdiq në fushë në 2007-n. Autopsia vendosi që spanjolli vuante nga një displazi venticirkulatore, një aritmi e dukshme. Zi botërore ishte edhe ajo e kamerunasit 28-vjeçar, Mark Foe, që humbi jetën gjatë Kupës së Konfederatave 2003. Ishte një shok edhe për FIFA-n.
Përpara Morozinit, që tronditi Italinë, një tjetër do të gjente vdekjen në fushë. Bëhet fjalë për zambianin e Hapoel Bersheva, Çasve Nsofva. Dhe përpara i kishte ndodhur edhe kolegëve të tjerë: rasti i Naoki Matsuda, mbrojtës i kombëtares japoneze që kishte zhvilluar Botërorin 2002.
Zemra e tij ndaloi, teksa po drejtonte Matsumoto Jamagan. Misteri dhe tragjedia goditi edhe nigerianin Çinonso Ihelvere Henri (Delta Tulçea, skuadra e divizionit të dytë rumun), ekuadorianin Hairo Andres Nazareno (21-vjeç, sulmues i Çimborazo), kapiteni i skocezëve të Motheruell, Fil O’Donëll, Patrik Ekeng, Bernardo Ribeiro dhe Miklos Feher.