Te Partizani nuk ka kaluar ende tronditja e humbjes së turpshme 5-0 në Gjirokastër, ku Luftëtari në 90 minuta e “çmontoi” totalisht skuadrën e kuqe. Kjo ka bërë që edhe grupimi Ultras Guerrils të shpallë luftë dhe të premten në Selman Stërmasi do të jetë një ditë proteste, por Renato Malota u lutet që të mos e braktisin skuadrën. Mbrojtësi ka dalë sot në konferencën për shtyp të mesjavës, ku ka folur për ndeshjen e fundit dhe ecurinë e këtij sezoni.
“Ishte një ndeshje aspak dinjitoze nga ana jonë. Në radhë parë u kërkoj falje tifozëve, që na kanë mbështetur gjithmonë. Të jenë të sigurt që lojtarët e ndjejnë peshën e fanellës, e dinë për çfarë klubi luajnë. Me këtë rast iu bëj edhe thirrje që mos të na kthejnë shpinën, por të na përkrahin ashtu siç dinë ata, pasi kemi nevojë më shumë se kurrë. Ndiej keqardhje, nuk e kisha provuar ndonjëherë, por mendoj se ishte një episod i keq, nuk e di si ta quaj. Ishte një ditë e errët për të gjithë, një fatkeqësi. Duhet harruar sa më shpejt. Harrohet duke marrë rezultatet pozitive, nuk është se fshihet lehtë. As ne nuk e morëm vesh se si shkoi ashtu ajo ndeshje”.
Starova është rikthyer, pas dorëheqjes që dha menjëherë sapo mbaroi ndeshja: “Në radhë të parë më bëhet qejfi për këtë gjë, pasi dihet që Starova është nga trajnerët më të mirë në Shqipëri. E njeh më mirë se të gjithë ekipin dhe klubin e Partizanit. Ai ka besimin maksimal të futbollistëve dhe për këtë jemi të lumtur që është rikthyer”.
Rruga e daljes nga kriza: “I fortë është ai që kur rrëzohet di të ngrihet. Këtë gjë do e tregojmë edhe ne shumë shpejt. Kam besim se të gjithë çunat kanë karakter të fortë dhe besoj se do ringrihemi. Kam edhe diçka për ata që flasin në emisionet televizive, që flasin shumë lehtë, por duhet ta dinë se te Partizani ka lojtarë që kanë luajtur edhe në momente më të vështira, duke sakrifikuar edhe familjet e tyre. Një nga ata jam edhe unë. Po të fusnin edhe ekipin e të rinjve ndoshta nuk i pësonte pesë gola, por siç thashë edhe më parë ishte një ditë e errët për të gjithë”.
Vllaznia të premten, në ndeshjen e fundit të vitit: “Vllaznia është një ekip që i duhen pikët, do vije në Tiranë të marrë pikë, por përballë do të ketë një Partizan që do bëjë maksimumin për të marrë tre pikët. Është e vetmja rrugë të shkojmë atje ku e kemi synimin”.