Barcelona pësoi një humbje turpëruese nga Bajerni i Mynihut, me rezultatin e thellë 2-8. Katalanasit ishin të pafuqishëm ndaj sulmeve të njëpasnjëshme të bavarezëve, të cilët nuk treguan kurrfarë respekti për historinë e kundërshtarit.
Por për trajnerin e ekipit në Kosovë, Ballkani, Ismet Munishi, gjermanët u treguan të mëshirshëm, pasi mund të shënonin 15 gola. Gjithashtu trajneri shqiptar, ironizon teknikun blaugran, Setien, se nëse Ballkani do të luante kundër Bajernit, nuk do të pësonte më shumë se 4 gola.
“Si mund të thuash që Bajerni nuk tregoi respekt, ata u treguan mjaft të respektueshëm, sepse shënuan vetëm 8 gola. Mund të shënonin 15 nëse donin. Është turp për trajnerin e Barcelonës, që me super lojtarë të pësojë 8 gola. Ekipi im nuk do të pësonte kurrë 8, nuk do të bënin më shumë se 4. Jo se unë do të bëhem trajner i Barcelonës (qesh), por katalanasit duhet të kthehen në identitet. Kjo nuk është fytyra e vërtetë e tyre”- ishin fjalët ironizuese të Munishit. /Elio Hajdari- Sport Ekspres/