Një gol i shënuar në minutën e 50-të nga Artur Magani i ka dhënë një fitore të bujshme 1-0 Lirisë së Prizrenit sot në fushën e Feronikelit.
Një ekip mjaft cilësor, Feronikeli kishte humbur vetëm një ndeshje këtë sezon në Superligën e Kosovës, por kishte barazuar shumë ndeshje dhe kjo e mbante larg kreut. Ndërkaq, Liria e drejtuar nga Bledi Shkëmbi është ende në procesin e përshtatjes dhe krijimit të një skuadre, pasi në verë është rindërtuar nga e para, por më në fund ish-kapiteni i Skënderbeut po merr frytet e punës së tij, sepse sot erdhi fitorja e parë sezonale në transfertë dhe Liria e sheh veten 5 pikë larg kreut.
Në krye është ende Llapi, që edhe sot fitoi 1-0 në Podujevë ndaj Flamurtarit, duke u larguar sërish nga rivalët, edhe pse Trepça ’89 dhe ndjekësit do të luajnë nesër.