Pas ndeshjeve që Shqipëria zhvilloi në muajin nëntor, emri i Armando Brojës u rrit akoma më shumë te Kombëtarja, edhe pa marrë pjesë me kuqezinjtë. E gjitha kjo pasi tifozët vunë re se pavarësisht ndërrimit të emrit të sulmuesit, te Kombëtarja është e pamundur që të shënohet goli. A do të jetë Armando Broja lojtari që do ta dërgojë Shqipërinë në nivel tjetër? Mbetet të shihet! Sulmuesi shqiptar ka lënë pas një dëmtim të gjatë dhe ka debutuar për herë të parë me fanellën e Evertonit. Në fakt, Broja ka luajtur fillimisht me Evertonin U-21 kundër Ëatfordit U-21. Stafi mjekësor kishte programuar që shqiptari të luante vetëm 45 minuta, në mënyrë që të merrte ritmin e ndeshjes dhe të mos sforcohej fizikisht. Kështu ndodhi teksa në pjesën e dytë, Broja u ul në stol për t’u qetësuar. Sulmuesi shqiptar nuk shënoi në këtë takim, por kishte disa momente të mira që i lanë mbresa edhe stafit teknik. Trajneri Keith Southern i Everton U-21 kishte fjalët më të mirë për lojtarin e Shqipërisë duke parashikuar një të ardhme të madhe.
“Ndeshja kundër Ëatford kishte disa aspekte pozitive. Broja luajti për 45 minuta dhe ishte shumë i shpejt. Do të bëhet një lojtar i madh për Evertonin tonë në javët dhe muajt në vazhdim. Dje ishte një natë e madhe për të në aspektin e rikthimit në fushë dhe marrjes së minutave që janë shumë të rëndësishme”, u shpreh Southern. Në bazë të planifikimit të mëparshëm, Broja do të luajë edhe një tjetër ndeshje me Evertonin U-21 përpara se të debutojë me ekipin e parë. E gjitha kjo do t’i shërbejë shqiptarit jo vetëm për të hyrë në ritmin e një ndeshje, por njëkohësisht për të hequr edhe frikën e një tjetër dëmtimi pas kontakteve fizike me kundërshtarët. Gjithashtu duhet theksuar se Armando i ka dalë nga pritshmëritë mjekëve të Everton sa i përket rikuperimit, duke u kthyer në fushë shumë më shpejt nga planifikimi. Ecuria e tij në stërvitje ishte fantastike gjatë kohës së pushimit për shkak të Kombëtares dhe duket se nuk do të jetë e largët koha e shkëlqimit në Premier League. /Sport Ekspres/