Fatmir Efica
Të kesh në ekip një “goleador race” për finalizimin e lojës, siç quhet Armand Pasha tashmë me aq shumë përvojë, për Besën është një konfirmim i rëndësishëm. Sulmuesi ka treguar dje se vazhdimësia e karrierës së tij me Besën nuk është thjesht term kontraktual për shkakun se deri në qershor 2019 ka firmosur me presidentin e Besës, Nexhat Bizhdili për mbajtur veshur fanellën verdhezi. Me Bizhdilin nga kontaktet e fundit, Pasha tregon se është entuziazmuar që Besa me riorganizimin e kësaj vere do të mund të ngjitet e rikthehet në familjen elitare ku edhe i takon. Ja intervista e dhënë dje nga sulmuesi i cili e ka në “gen” shënimin e golave dhe shtimin maksimal të kontributetve të tij për Besën edhe në sezonin e ri…
- Pasha, si po i kaloni pushimet këto ditë?
Pushimet kanë vendin e tyre. Po i kaloj shumë mirë. Por…meraku im si futbollist është tjetër kund.
- Ku konkretisht?
Të puna e stërvitjet. Më besoni, kam ndërtuar një program ku po punoj intensivisht çdo ditë për të qenë sa më në formë sepse që në start dua të kem gjendjen e duhur.
-Nga sezoni i fundit ku ju erdhët në Kavajë në janar 2008, çfarë do të veçoni?
Mendoj se Besa që u riformatua në muajin janar në fare pak kohe mori një fizionomi shumë interesante, të këndshme e pozitive. Veçmas lojtarëve me përvojë pati edhe disa të rinj që e ndezën atmosferën e motivimit në ekip.
- Pesëshja e dytë ku luajti Besa në fazën e 3-të mbeti “peng” për të gjithë?
Mendoj se ka qenë faza e dytë me rezultatet jo të mira që Besa nuk siguroi luajtjen në pesëshen e parë. Natyrisht që të luftosh për mbijetesë, aq më tepër një ekip me tradita të mëdha si Besa, asnjëherë nuk është një gjë e mirë. Ndonëse ne e arritëm shpejt objektivin final dhe s’komplikuam asgjë.
- Diçka për kontratën tuaj me Besën që skadon në qershor 2019?
Kam kontaktuar këto ditë me presidentin e Besës, Nexhat Bizhdili dhe kam vënë re paraprakisht se për të ngjitur e rikthyer Besën në Kategorinë Superiore do të bëhet gjithçka. Më vjen mirë që pjesë e këtij detyrimi do të jem dhe unë, sikurse kam mësuar që baza e ekipit me lojtarë si: Perja, Dikson, Onu, Thaçi, etj. Jo vetëm që do të ruhet por edhe do të ketë përforcime që do të ngrenë Besën aty ku duhet.
- I harruat golat tuaj që patën “peshë” në të parën përvojë që kryet me Besën?
Si sulmues kudo ku kam luajtur detyra ime specifike është të shënoj sa më shumë gola. Ato janë adrenalina e shumëfishuar e emocioneve dhe kënaqësia që ndjejnë të gjithë sidomos tifozët. Futbolli me gola është më shumë se një shfaqje që ngulitet fort në memorie. Mund të them se më ka vlejtur mjaft përvoja e parë te Besa.