Kur sporti përzihet me politikën, gjithnjë do të ndodhin gjëra të ndyra dhe herët a vonë gota do të derdhet. Kështu ka ndodhur me miqësoren mes Izraelit e Argjentinës, në program këtë të shtunë, sfidë që është anuluar me kërkesë të skuadrës argjentinase. Gjithçka lidhet me sigurinë, sipas medieve në Argjentinë dhe Federatës Argjentinase, sepse sfida ishte planifikuar të luhej në Jeruzalem. Një provokim i hapur nga Izraeli, sepse miqësorja, qartësisht një show i qeverisë izraelite, ishte menduar për në Haifa, ndërsa kohët e fundit u postua në Jeruzalem, që pak kohë më parë u njoh si kryeqytet i Izraelit nga presidenti amerikan Donald Tramp. Këto veprime kanë shtuar ndjeshëm tensionin mes Izraelit e Palestinës dhe kjo e fundit ka protestuar ashpër edhe për sjelljen e Argjentinës.
MOTIVET – Për hir të së vërtetës, një miqësore në Izrael pak ditë para Kupës së Botës nuk i leverdiste askujt në Argjentinë. Pothuajse askujt, në fakt, sepse në arkat e Federatës do të shkonin miliona dollarë. A mund të luhet kështu me një komb të tërë? Në Argjentinë polemikat janë ndezur prej kohësh, sepse realisht trajneri Horge Sampaoli nuk e donte këtë miqësore dhe gjithashtu lojtarët nuk donin udhëtime të kota nëpër botë, në një kohë që po përgatiten në Barcelonë dhe janë gati për debutimin në Botëror.
VENDIMI – Mesi me shokë u mblodhën ditët e fundit dhe dolën me një qëndrim unik, për të evituar çdo ngatërresë me federatën: “Miqësorja nuk do të luhet, refuzojmë të shkojmë në Izrael”. Arsyeja e dhënë është siguria fizike, pasi në Jeruzalem situata është shumë e acaruar, por natyrisht lojtarët nuk duan që të përfshihen në gjëra që nuk u përkasin dhe nuk kanë lidhje me futbollin. Botërori është në prag, pse duhet të dhurojnë spektakël si aktorë cirku, për shkak të marrëveshjeve të federatës? E gjithë bota i luan miqësoret në fusha neutrale, për të mos lëvizur nga vendet ku kombëtaret stërviten, ndaj këtë radhë federata argjentinase është dorëzuar, e ka kuptuar që ka bërë një gafë, edhe pse kryeministri izraelit Benxhamin Netanjahu ka folur me presidentin argjentinas Mauricio Makri, duke u përpjekur ta bindë që të çojë kombëtaren në Izrael. Përgjigja ka qenë e thjeshtë: Nëse Izraeli e do patjetër miqësoren, le të paraqitet në Barcelonë!