Arbnor Muja: Nëse do të kemi Serbinë në grupet e Europianit të Gjermanisë, jam 100% i bindur se do fitojmë kundër tyre

Arbnor Muja është një prej zbulimeve të trajnerit Silvinjo. Lojtari i Antëerp, i cili arriti të shënonte edhe në Champions League, e ka bërë debutimin e tij me Shqipërinë. Ai arriti që të shënonte edhe në ndeshjen me çekët, por për fatin e keq, goli do t’i anulohej për pozicion jashtë loje. Muja ishte i ftuar në emisionin “Koha Shtesë”, rubrika e re e Sport Ekspres, teksa ka folur për përjetimin që ka marrë nga Kombëtarja. (Intervistën mund ta gjeni te video më poshtë)

“Kombëtarja është ndryshe nga klubi. Ka ndodhur të fitojmë kampionatin me Antëerp, të shënoj gol aty, të shkojmë në Champions League, por ndjenja sikur atë natë që bëra golin kundër Çekisë, nuk kam përjetuar. Edhe pse u anulua, në atë moment, përjetova një prej gëzimeve më të mëdha të jetës sime. Unë jam rritur me himnin kuqezi dhe ngjyrat kuqezi. Sa herë që kishte ndeshje Shqipëria, unë e shikoja dhe kur këndohej himni aty, më rrënqethej trupi, lërë më tani që jam vetë lojtari.

Mbaj mend ndeshjen brenda me Poloninë ku fituam 2-0, stadiumi plot me shqiptarë dhe kur dëgjova himnin, i gjithë trupi mu rrënqeth fort dhe e këndova me zemër himnin. E kam pasur ëndërr ta jetoja këtë ditë, nuk kam përjetuar asgjë diçka më të mirë. Debutimi? Më kujtohet, ishte ndeshja Ceki-Shqipëri, 1-0. Unë dola për të bërë nxehjen, shikoja trajnerin dhe pankinën. Prisja që trajneri të më thoshte që të hyja në fushë. Pastaj barazuam dhe aty e dija që do të hyja. Mu dridhën gjunjët në atë moment, humba pak. Nuk më ka ndodhur më herët, megjithëse jam mësuar me stadiume të mëdha, në Champions League tani, por në atë ndeshje humba pak.

Festimi “i ftohtë” dhe “i ngrirë” para tifozëve në golin e 4 me çekët? Kur shënova, tifozët ishin shumë të gëzuar. Mendova vetëm që të qëndroja në vend në atë moment dhe të shikoja të gjitha ato fytyrat e tyre që po gëzohen kaq shumë për këtë sukses. Doja vetëm të shikoja atë pamje, ata njerëz, të shikoja kënaqësinë në sytë e tyre. Ishte moment 5 sekondësh, nuk dija se çfarë të bëja, doja vetëm t’i shikoja. Tifozët donin që ta thyenin atë xhamin që ishte para meje, që të festonim bashkë.

Mora fjalë? Ju e dini se aty është edhe fraza: “Tash sa vjet se sheh edhe Mitrovicën”. Prandaj e këndoj më me zemër, sepse përmend qytetin ku jam rritur, ku jam lindur. Ju e dini historinë e qytetit, është i ndarë, gjithmonë kemi probleme aty. Kjo duhet të jetë edhe himn për shqiptarët. Unë dëgjoj shpesh muzikë patriotike kur futem në fushë, Ilir Shaqirin, Shkurte Fejza.

Mitaj? Në stërvitje kam më shumë kontakte dhe duele me Mitajn. Mitaj është një lojtar që për moshën që ka, dikush mund të mendoj se ka 15 vite eksperiencë në futboll. Është një talent i rrallë, një super lojtar, që do të arrij shumë lart. Një ditë u bëra kurioz dhe kur pija kafe me Mitajn, i thashë: “Nëse një lojtar rival në krahun e djathtë, një kundër një me ty, çfarë ke qejf që të bësh, që të mos e lejosh që të kalojë?”. Më tha: “Dua që ta anoj nga vija sa më shumë”. E pyeta se doja të dija se si mendon një lojtar i kalibrit të Mitaj, që kur të përballem me rivalë të këtij niveli më vonë, të dijë se çfarë shkon në kokën e tyre. Po është e vërtetë, kur jemi në stërvitje, nuk i futemi fare në presion Mitajt se ai ka qetësi maksimale dhe është e kot. Serbia në grupet e Europianit? Do ta doja, jam 100% i bindur se do të fitonim kundër tyre”, tha Muja. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *