Portugalia mundi dje Marokun, në një ndeshje të zjarrtë, vendosur nga një gol i Kristiano Ronaldos në fillim të takimit.
Ylli portugez u tregua sërish vendimtar për Portugalinë, që vuajti gjatë gjithë ndeshjes dhe me fat e mbrojti avantazhin.
Maroku luajti një ndeshje të madhe, duke qenë deri në fund në lojë dhe duke mos qenë asnjëherë inferiore. Megjithatë, tashmë afrikanët janë eliminuar dhe nervozizmi gjatë ndeshjes me arbitrin amerikan Mark Geiger nuk mbaroi aty, sepse marokenët akuzojnë për njëanshmëri.
“Dëgjova nga Pepe që ai i tha Ronaldos gjatë pjesës së parë nëse mund t’i jepte fanellën. Për çfarë po flasim këtu? Në Kupën e Botës? Nuk jemi në cirk!“, deklaroi pas ndeshjes mesfushori Nordin Amrabat për një televizion holandez.
Ndonëse gjatë ndeshjes nuk pati vendime madhore kundër Marokut, kishte disa situata ku marokenët protestonin ashpër dhe kishin shumë ankesa për gjykimin.
Nëse akuzat e Amrabatit janë të vërteta, është diçka e rëndë, që hedh dyshime mbi asnjanësinë e arbitrit. Ndërkaq, në kampin portugez janë refuzuar të komentojnë.