Arbitrat janë të VAR-ur, Botërori po humbet emocionet!

Që nuk do të ishte e lehtë, kjo u tha dhe stërtha përpara se të niste Botërori “Rusi 2018”. Motivi? E thjeshtë… Sepse thuajse 70% e arbitrave që janë angazhuar për të drejtuar ndeshjet e këtij eventi të rëndësishëm botëror, nuk janë mësuar me teknologjinë, për shkak se në kampionatet ku drejtojnë ende nuk është futur. Atëherë, lind pyetja: mos ndoshta ishte e nxituar të eksperimentohej kështu?! Sigurisht, kjo është vetëm ana e errët, por ka edhe anën që shkëlqen medalja. Në fakt, duhet theksuar se shumë episode të dyshimta, teknologjia i ka zgjidhur më së miri, sepse më pas do të flitej për padrejtësi. Ka humbur spektakli, emocionet dhe sidomos festimi, që është kthyer në telenovelë tashmë, por drejtimi i futbollit po përpiqet të shkojë te perfeksioni, deri diku.

Rekordi i penalltive – Për të kuptuar rëndësinë e VAR-it dhe faktin që tashmë arbitrat janë krejtësisht të varur edhe kur e dinë se kanë të drejtë, mjafton të shohësh të dhënën e fundit: 20 penallti të akorduara deri tani, mes të cilave thuajse 80% e akorduar pas konsultës me monitorin apo sinjalit të marrë nga gjyqtarët përpara monitorëve. Kurrë në një Botëror nuk janë akorduar kaq penallti sa te ky tani. Një rekord që vështirë se do të thyhet, duke qenë se numri mund të rritet, pasi janë edhe shumë ndeshje të tjera për t’u zhvilluar (24 ndeshje që mbyllin grupet, faza e 1/8-ve, çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja). Vetëm dje, në fakt, janë akorduar katër penallti, teksa VAR ka ndërhyrë te të katërt penalltitë.

Maroku revoltohet – Një barazim 2-2 që ka pasur shijen e hidhur te Spanjë-Marok, teksa skuadra afrikane, me anë të Amrabatit, në fund të sfidës, pasi goli i Iago Aspasit u akordua pas pamjeve me VAR, ka shpërthyer: “VAR-i është një m*t!”. Eshtë dashur ndërhyrja e Zieshit që ta frenonte për të mos e ekzagjeruar, teksa kjo është thënë përpara kamerave.

Irani proteston – Jo vetëm Maroku, por edhe Irani ndihet “i vjedhur”. Në fakt, në fillim arbitri Kaseres i thotë Ronaldos që të çohet pasi Hajsafi e ka penguar në zonë, por më pas, pasi risheh pamjet, akordon penallti. Më pas, një ndërhyrje e Karvaljos ndaj Amirit nuk prodhon penallti, pas konsultës me VAR-in, teksa Ronaldo godet me bërryl Pouraliganjin, teksa topi është shumë larg. Konsultim me VAR dhe vetëm i verdhë, teksa trajneri Keiroz shpërthen. Teknologjia, më pas, i jep të drejtë Iranit te penalltia e fituar për prekje me dorë të Sedrik.

Arabia – Fitorja e Arabisë Saudite, sakaq, ka qenë e gjitha e teknologjisë… Dy penallti të akorduara me VAR, nga të cilat njëra e shpërdoruar, teksa Egjipti nuk ka qenë aspak dakord.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *