Arbitrat e bëjnë lëmsh, përzgjedhja është anormale

 

Mesjava e Superiores ka rikthyer akuzat ndaj gjyqtarëve, si asnjëherë këtë sezon. Gabime me shumicë, arbitruan emrat me më pak eksperiencë

Një mesjavë e zakonshme… gabimesh. Superiorja u bë çorbë këtë të enjte, jo thjesht për çmenduritë që pamë në fushë, duke nisur nga sherri mes shokëve të një skuadre e deri te “boksi” në Gjirokastër. Vendime absurde, që kanë irrituar jo pak lojtarë e drejtues dhe për pasojë ka rinisur avazi, të gjithë kundër të gjithëve. Ajo që bie në sy është mungesa e disa prej emrave më të njohur në Superiore: Enea Jorgji, Kridens Meta, Klajdi Kola e të tjerë kryesorë e anësorë mungonin, çuditërisht. Duke mos pasur transparencë në përzgjedhjen e arbitrave, pasi edhe pezullimet nuk është se publikohen ndonjëherë, duket vërtet anormale që të provohen kaq shumë emra të rinj, disa pa shumë eksperiencë, në të gjitha ndeshjet. Përjashtim? Luftëtari-Kamza, asnjë polemikë, me Emirjon Sinon që administroi në mënyrë perfekte një takim mjaft të ndërlikuar.

Në Durrës, dy gola të anuluar – Remzi Sadiku, por mbi të gjitha asistentët e tij Rexha e Preça, janë nën akuzë për ndeshjen në Durrës. Teuta ndihet e vjedhur, pasi ka pasur dy episode të dyshimta, që kanë shkuar kundër Teutës. U shënuan dy gola nga Teuta në pjesën e parë, të dy të anuluar për pozicion jashtë loje, por në të dy rastet ka hapësirë për debat, pasi nëse janë, janë pozicione milimetrikë, edhe pse realisht autorët e golave duken në vijë të drejtë me mbrojtjen dhe në raste të tilla dyshimi, anësori bën mirë të lejojë vazhdimin e lojës. Momente vendimtare, sepse Teuta mund të shkonte 2-0 dhe gjithçka bëhet shumë e vështirë për Partizanin.

Lushnja akuzon – Një penallti e pretenduar në pjesën e parë, por edhe disa episode të tjera, janë kontestuar ashpër nga lushnjarët. Pas ndeshjes akuzat kanë qenë të hapura ndaj gjyqtarit lezhjan Eldorjan Hamiti, i cili është një emër i njohur në Superiore dhe kërkon edhe stemën e FIFA-s. Në fakt, krahasuar me disa fusha të tjera, sfida e Lushnjes nuk është se kishte aq shumë ngjarje sa për të akuzuar gjykimin, por gjithsesi shpërthimi i Lushnjes, nga trajneri e deri te lojtarët dhe drejtuesit, tregon se situata po bëhet e nxehtë pa nisur mirë sezoni, aq më shumë që lushnjarët kanë akuzuar hapur edhe presidentin e Kukësit, Safet Gjici.

Flamurtari ndëshkohet sërish padrejtësisht – Në Shkodër Olsi Sokoli kishte një detyrë të lehtë, duke parë ndeshjen, sepse u luajt në një stadium të boshatisur dhe ritmi i lojës nuk ishte frenetik. Megjithatë, ka pasur disa episode që kanë bërë që të shpërthejnë akuzat nga gjyqtarit. Vllaznia pretendoi për 11-metërsh në disa raste, por nuk është se kishte fort të drejtë, ndërsa e kundërta vlen për Flamurtarin. Goli i Vllaznisë, shënuar me 11-metërsh në minutën e 49-të të pjesës së parë, erdhi pas një faulli jashtë zone të Zhufos ndaj Markut. Pozicion i vështirë për arbitrin, por kjo nuk e shpëton nga përgjegjësia. Si rastësisht, Flamurtarit i përsëritet makthi i Durrësit, sepse iu dha një penallti kundër në të njëjtën mënyrë, për një faull jashtë zone. Nuk mbaroi aty tersi për vlonjatët, sepse në minutën e 81-të Ditmar Bicaj u shty në zonë nga një mbrojtës shkodran, një rast mjaft i diskutueshëm, por gjyqtari vendosi të vazhdonte lojën. Këto dy raste, por edhe faullet e shumta kundër, kanë acaruar jo pak vlonjatët, që tashmë po nisin të dyshojnë se jo gjithçka është e rastësishme.

Edhe në Korçë pati probleme – Në minutën e 84-t të ndeshjes mes Skënderbeut e Laçit gjyqtari Klodian Shahini akordoi 11-metërsh në favor të Laçit, për një pengim të Lushkjes nga Jashanica. Dy lojtarët e futur në pjesën e dytë shënuan për skuadrat përkatëse dhe u bënë protagonistë të një episodi të dyshimtë. Lushkja ka ndier një prekje nga pas në zonë, por edhe ka tentuar ta vjedhë 11-metërshin, ndërsa arbitri ka fishkëllyer, me korçarët që protestojnë, duke e quajtur simulim. Edhe Jashanica pas ndeshjes këmbëngulte se nuk kishte shkaktuar faull. Ndërkaq, në momentin e gjuajtjes së penalltisë nga Nika, disa lojtarë të Skënderbeut ishin futur para kohe në zonë, ndërsa arbitri e kishte kokën në krahun tjetër. Gabim i zakonshëm në Shqipëri, që nuk po korrigjohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *