Apolonia është gati për të kaluar një tjetër ndeshje të rëndësishme që i ofron kalendari në javën e 21-të, atë me 24-herë kampionen e vendit, Tiranën. Skuadra fierake është përgatitur me kujdes gjatë gjithë kësaj kohe që kanë pasur në dispozicion gëzojnë një formë të mirë sportive dhe kanë moral e psikologji të lartë. Trajneri kavajas i Apolonisë, Ndriçim Kashami është optimist dhe ka besim të plotë tek skuadra që drejton se ajo do të di kryelartë nga fusha e lojës. Kashami respekton dhe vlerëson kundërshtarin dhe nuk ngurron të pohojë se do të jetë një ndeshje e fortë me rivalitet e luftë të fortë sportive ku fitorja do t’i buzëqeshë ekipit që do të luajë më mirë e do të bëjë më pak gabime.
Në një prononcim vetëm pak orë përpara kësaj ndeshje delikate e të vështirë trajneri Kashami u shpreh: “Përballja me Tiranën do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë që na rezervon kalendari. Pavarësisht kësaj për këtë sfidë skuadra ka pasur kohën e duhur në dispozicion dhe është përgatitur me kujdes në të gjitha aspektet për të zhvilluar lojën e saj ashtu si në çdo ndeshje tjetër. Kundërshtari është një skuadër e fortë, por unë kam besim te djemtë që drejtoj. Jam i bindur, se ata do të bëjnë një paraqitje dinjitoze, duke kryer me korrektësi detyrat e ngarkuara e duke dhënë më të mirën në fushën e lojës. Ne nuk do të luajmë të rreshtuar në mbrojtje për të mos pësuar, por do t’i japim prioritet dhe kundërsulmit të shpejtë e të befasishëm, duke kërkuar që të shënojmë në portën kundërshtare. Mendoj se do të jetë një ndeshje e luftuar, së cilës nuk do t’i mungoj spektakli”, ka përfunduar trajneri i skuadrës fierake, Ndriçim Kashami.
Mikel Mbriçaj
Formacioni i mundshëm: Çako, Braka, Kuci, Duda, Broshka, Troka, Andoni, Hysenshahaj, Sota, Dimo, Mihana. Trajner: N.Kashami.