Apolonia zyrtarizon sulmuesin e ri, ndërkohë që mbrojtësi i djathtë do “kokën” e Naftëtarit. Fitorja, dhuratë për trajnerin e administratorin
Mikel Mbriçaj
Apolonia është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Naftëtarin. Skuadra duket në top formë dhe nuk e diskuton fitoren. Megjithatë jo çdo gjë është e garantuar, ndaj dhe po e vlerësojnë si duhet kundërshtarin. “I mbyturi të mbyt,- thonë fierakët- ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të japim maksimumin në fushën e lojës që të arrijmë rezultatin e dëshiruar”.
I këtij mendimi është dhe mbrojtësi 21-vjeçar Denis Duda, i cili ka pasur kontakte ditët e fundit me menaxherë të ekipit grek të AEK–ut. Mbrojtësi u bë pjesë e Apolonisë sezonin e kaluar dhe nuk e fsheh gëzimin për interesimin e skuadrës greke. “Jam dhe do të vazhdoj të jem nën vëzhgim deri në fund të kampionatit”, u shpreh mbrojtësi fierak.
“Më duhet të përqendrohem te Apolonia dhe te ndeshja e parë e këtij viti ndaj Naftëtarit. Edhe pse kundërshtari mbyll klasifikimin, përsëri po e vlerësojmë si duhet. Synimi ynë do të jetë arritja e një tjetër fitoreje, ndaj jemi të mobilizuar e të karikuar të gjithë si skuadër. Përsa i përket aspektit individual, do të jap më të mirën, në mënyrë që të jem faktor në rezultatin pozitiv që presim të arrijmë. Kjo dhe për të festuar me fitore dhe ditëlindjen e trajnerit Kashami dhe të administratorit Kamber Memallaj, të cilët i kishin të enjten”, ka përfunduar mbrojtësi Duda. Ndërsa përsa i takon merkatos së Apolonisë, më së fundi është thyer akulli, pasi sulmuesi tetovar Artan Bajrami ka arritur ditën e premte të firmosë kontratën me drejtuesit e klubit fierak dhe do të jetë pjesë e Apolonisë në vazhdim.