ANALIZË/ Na turpëruat, a do të luajmë apo…ta lëmë fare? Kështu nisi përralla e Ballkanit me Ludogorest, në Shqipëri e gjejnë lehtë…fajin e ka FSHF!

Nga Klaudio Ndreca

Sa herë që ekipet shqiptare dështojnë në Europë dhe nuk arrijnë të përmbushin objektivat e tyre, tifozët e kanë arsyen e rezultateve të dobëta shumë të gatshme: “Fajin e ka FSHF”. Edhe përtej futbollit që luhet në vendin tonë, sërish është Federata e cila cilësohet si fajtorja për të mbyllur çdo diskutim tjetër.

E kjo vjen për shkak se në Shqipëri askush nuk bën një meditim me veten apo një analizë të thellë për të pranuar gabimet. Sigurisht që problemi është kompleks, nis që me ligjin e sponsorizimeve. Lojtarë me shumë kualitet janë duke shkuar nga Shqipëria në Kosovë për shkak të rrogave të cilat janë më të larta dhe veçanërisht që nuk kanë asnjë problem me vonesat.

Klubet janë më të shëndetshme financiarisht, ndërsa për të kuptuar realisht se i kujt është faji në një rast dështimi, mjafton t’i hedhim vështrim Ballkanit. Vetëm tre ditë, për t’u përsëritur, vetëm tre ditë nga ndeshja me Ludogorest, te Ballkani nuk e dinin stadiumin ku do të luanin. Madje për më tepër, nuk e dinin as nëse kjo ndeshje do të zhvillohej. E si për paradoks, kur ekipet e Shqipërisë zbresin në transfertat e tyre në Europë, shkojnë të veshur me kollare e këmishë, a thua se Real Madridi po zbret në turin e parë të kompeticioneve europiane.

Për të vazhduar analizën, Ballkani bëri një reagim të ashpër kundrejt shtetit dhe organizmit të futbollit në tërësi në Kosovë, teksa dolën me deklaratën zyrtare: “Po na turpëroni para syve të botës. Ne kemi bërë historinë në Europë dhe nuk dimë akoma stadiumin ku do të luajmë tani ose më mirë, a do të luajmë apo nuk do të luajmë fare?”.

Mes gjithë këtij kaosi të krijuar, sërish Ballkani u kthye për të fituar bindshëm kundër Ludogorest së historisë në Europë, 2-0. Le të kujtojmë pak formacionin e djeshëm të Ballkanit: “Trashi, Jashanica, Dellova, Thaqi, Zyba, Kuc, Emerllahu, Gripshi, Korenica, Rrahmani”.

Tani le të kujtojmë pak formacionin e Ballkanit në ndeshjen e fundit të grupit që pati në Conference League gjatë sezonit të shkuar në transfertën e Cluj, mes 10 lojtarëve të zgjedhur nga Daja nga minuta e parë, përtej portierit: “Thaqi, Dellova, Jashanica, Potoku, Zyba, Emërllahu, Kuc, Berisha, Rrahmani, Korenica”.

Çfarë vini re mes dy formacioneve që ndahen në dy sezone të ndryshme, kur janë 10 lojtarë të zgjedhur pa përmendur portierin? Ka vetëm dy ndryshime te Ballkani nga ndeshja e Clujt në sezonin e shkuar te kjo ndeshje e djeshme, në vendin e Potokut është Trashi, një afrim që i ka shtuar më shumë cilësitë Ballkanit. Por edhe në këtë rast, Potoku hyri nga stoli për të zëvendësuar Trashin, duke qenë po e njëjta situatë për thelbin për të cilin jemi duke lënë të nënkuptohet deri tani.

Ndryshimi i dytë dhe i fundit është ai i Albin Berishës me Gripshin, por edhe në këtë rast, Berisha u fut për të luajtur disa minuta në pjesën e dytë me Ludogorest. Ky pra është thelbi i mënyrës sesi duhet të funksionojë ekipi dhe që në Shqipëri duket e pamundur të realizohet.

Pavarësisht rezultateve historike dhe interesimeve të pafundme që erdhën për lojtarët e Ballkanit, Ilir Dajës nuk është i prekur thuajse asnjë futbollist i vetëm, të gjithë kanë qëndruar. Sa e mundur është që një ekip i Shqipërisë të mos lëviz lojtarët më të mirë në merkaton e verës? Zero! Madje, këtu largohen 15 lojtarë nga sezoni i shkuar dhe vijnë 15 lojtarë të tjerë duke përdorur logjikën e futbollistëve që janë mobilie për t’u vendosur në shtëpi, por që mendohet se kanë të njëjtën funksion. Madje thuhet se mobiliet e reja janë më të mira sesa ato të vjetrat.

Për sa kohë klubet tona vazhdojnë me këtë linjë logjike, për sa kohë nuk punësohen njerëz të aftë dhe me pasion të madh në postet drejtuese të klubeve, panorama do të jetë kjo. Nëse Ballkani shkon në grupet e Champions League apo të Europa League në këtë sezon dhe ekipet e Shqipërisë nuk munden, kjo nuk është një faturë që duhet ta paguajë FSHF, përkundrazi, rëndon direkt mbi vetë klubet. Për më tepër ekipet në Shqipëri kanë më shumë kushte, histori nga e kaluara dhe arena për të shprehur futbollin e tyre sesa Kosova, ato prezantohen nga ana e jashtme në nivele të barabarta me shumë ekipe elitare të Europës. Shpeshherë e themi me pak batutë, por gjithmonë e më shumë kjo shprehje po merr vlerë: “Lojtarët tanë nuk po ngrihen dot në nivelin e Air Albania”. Dhe nëse FSHF e ka një faj në këtë mes, është fakti se e ka ngritur shumë stekën me një stadium si Air Albania, në këtë krahasim ka shumë disbalancë… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *