Altin Lala ish-kapiteni i Kombëtares, që e ka kaluar karrierën si futbollist në Gjermani, komentoi eliminimin e parakohshëm të panzerave nga Botërori 2018, duke folur në emisionin “Ruski Bar” në Supersport.
Eliminimi gjerman: “Ishte një disfatë e madhe për Gjermaninë. Gjermanët kanë filluar të ulin flamurin në gjysmë shtizë. Ishin tre lojë të dobëta, aq më tepër që duke parë miqësoret përpara botërorit, edhe aty kishte shenja dobësie në përgjithësi. Përveç Nojer dhe Rojs, të gjithë lojtarët e tjerë nuk ishin në formën e tyre normale”.
E ardhmja e Die Mannschaft: “Për vetë faktin që është hera e parë që Gjermania eliminohet në grup në Botëror, ata janë edhe vetë shumë kritikë dhe mendoj që mund të ndodhë edhe largimi i trajnerit Joakim Lëv. Edhe në këtë kampionat ndodhi që kampionët e botës të eliminohen në grupe dhe në këtë sens gjermanët e vazhduan traditën. Besoj që gjermanët do ta analizojnë situatën, kanë lojtarë në grupmosha dhe mendoj se që prej Europianit ose Botërorit tjetër do shohim një skuadër ndryshe”.
Pwr Nojer: Për mendimin tim Nojer është portieri më i mirë i të gjithë kohërave. Ai është tipik lojtari që jep 120 për qind në çdo ndeshje. Edhe barazimi nuk do ta kishte ndihmuar Gjermaninë, por ai prapë donte të shënonte gol. Megjithatë, ia futi kot në rastin e golit të dytë, pavarësisht se humbja 1-0 apo 2-0 nuk përbën ndonjë diferencë të madhe. Gjithsesi, Nojer e ka treguar që është portieri më i mirë në botë”.
Brazili favorit? “Prej vitit 1982 jam me Brazilin. Them se ata kanë gjasa shumë të shpallen kampionë bote. Nuk ia uroj një të keqe Nejmarit që të lëndohet, por të isha unë trajner do ta kisha lënë në stol”.