Alijev: Nuk e dija që nuk luaj dot në klub të tretë, do flas me FIFA-n

Sulmuesi azer nuk mund të firmosë në klub të tretë, i duhet ndonjë kampionat që nis në vitin 2018: Gjithsesi, nuk pendohem që u largova nga Shqipëria

Rauf Alijev është një ish-futbollist i Kukësit tashmë, sepse prej ditësh ka arritur marrëveshjen me kampionët në fuqi për të prishur kontratën. Në një intervistë lëshuar ditën e djeshme për “apasport.az”, sulmuesi konfirmon gjithçka, duke deklaruar se ka marrë dokumentacionin dhe po shqyrton ofertat. Alijev befasohet nga fakti që nuk mund të firmosë për ndonjë klub të tretë që është në mes të sezonit, sepse ka luajtur tek Inter Baku dhe Kukësi këtë sezon, por gjithsesi nuk ndryshon mendim: vendimi për t’u ndarë me Kukësin ishte i drejtë.

– A je ndarë përfundimisht nga Kukësi?

– Po, nuk kam më lidhje me Kukësin. Jam larguar përfundimisht, kam marrë dokumentacionin.

– Rendimenti juaj te Kukësi nuk ishte i keq. Cila ishte arsyeja e një divorci të tillë, të paplanifikuar?

– Nuk mund të flas shumë për këtë histori, ende jo. Hasa në disa probleme, ndaj po largohem.

– A dëshiron ta vazhdosh karrierën në Azerbajxhan?

– Sinqerisht, kam marrë një ofertë nga një vend tjetër, por nuk kam vendosur ende.

– A je i vetëdijshëm që në bazë të rregullave të FIFA-s, nuk mund të luash në një klub të tretë në këtë sezon?

– Nuk e dija, tani po e marr vesh. Gjithsesi, kontrata ime e parë, me Inter Bakun, përfundonte më 30 qershor, ndaj nuk besoj se quhet klub i tretë.

– Megjithatë, në sezonin aktual ke luajtur 4 ndeshje në Europa League me Interin, pas 30 qershorit.

– Nuk kisha firmosur kontratë pas 30 qershorit, mendoja se isha duke vazhduar kontratën e vjetër. Ndoshta do të bëj kërkesë në FIFA, por së pari do të shoh avancimin e bisedimeve me klubet që më kërkojnë.

– Inter Baku, tashmë i emërtuar Keshle, nuk është klub i tretë. A ekziston mundësia e kthimit aty?

– Nuk di ç’të them, tani po e mësoj rregulloren e FIFA-s.

– Tani që e mësove problemin, a të vjen keq që largohesh nga Kukësi?

– Tani po marr vesh gjithçka. Jo, nuk më vjen keq, gjithsesi.

– Nëse Kukësi të kërkon të kthehesh, si do të përgjigjesh?

– Jo, nuk do të kthehem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *