Alegri heq dorë nga mbrojtja, Juventus sulmues në Madrid!

Nga 4-4-2 në takimin në Torino, tekniku do të kalojë në variantin 4-3-3. Balotazh në sulm mes Kuadrados e Manxhukiç

Juventusi nuk ka asgjë për të humbur në Madrid përballë Realit në ndeshjen e kthimit në Madrid nesër në mbrëmje. Humbja 0-3 në “Juventus Stadium” në takimin e vajtjes të martën e kaluar e ka vendosur në pozita të dëshpëruara ekipin e drejtuar nga Alegri. Megjithatë, trajneri i Juventusit, shpesh e ka përsëritur gjatë këtyre ditëve se skuadra që ai drejton do të shkojë të luajë me dinjitet dhe krenari në “Bernabeu”. “Duhet të shkojmë krenarë dhe me kokën lart në Madrid. Në fund të fundit futbolli është i paparashikueshëm dhe do të bëjmë gjithçka për një mrekulli”- ka thënë Alegri edhe pas fitores së fundit në Serinë A kundër Beneventos 4-2.

Ndryshimi në formacion – Dhe trajneri trajneri i Juventusit e ka të qartë se ekipi i tij duhet të tejkalojë limitet e veta nëse dëshiron një fitore me të paktën tri gola në Madrid. Në Madrid nuk ka më kuptim që të luhet në mbrojtje, ndaj Alegri ka vendosur të hedhë në fushë një skuadër sulmuese. Të paktën kështu është dukur nga seanca stërvitore e të hënës, ku trajneri i Juventusit ka zgjedhur të luajë me tre sulmues përpara. Në takimin e vajtjes në Torino, Alegri kërkonte më shumë kujdes, duke rreshtuar një Juventus 4-4-2, duke i dhënë përparësi dhe lojës në krah. Por në Madrid priten sërish ndryshime, disa të kushtëzuara dhe nga mungesat apo rikthimet e lojtarëve.

Matuidi i cili takimin e parë e nisi nga stoli, këtë herë do të jetë titullar në mesfushën me tre. Në shërbim të Alegrit kthehen dhe Benatia e Pjaniç, i cili mungoi në ndeshjen e vajtjes në Torino. Benatia do t’i bëjë shoqëri Kielinit në qendër të mbrojtjes, teksa në krahë do të jenë Aleks Sandro në të majtin dhe De Shiljo në të djathtin. Mesfusha pritet të përbëhet nga Pjaniç-Kedira-Matuidi. Në sulm, trajneri i Juventusit do të bëjë pa mungesën e madhe të Paulo Dibalës i ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen në Torino. Në këto kushte të konfirmuar në sulm janë Dugls Kosta e Higuain. Ndërsa në balotazh për një vend janë Kuadrado e Manxhukiç. Për momentin kolumbiani duket favorit ndaj kroatit, por nuk përjashtohet dhe ndonjë surprizë e orës së fundit, ku Alegri të zgjedhë Bernardeskin.

Vështirësitë – Alegri po bluan shumë zgjidhje në mendjen e tij për takimin në Madrid. Por trajneri i Juventusit përballet dhe me një tjetër tabu për të thyer në Spanjë. Kampionët e Italisë, gjatë historisë së tyre në Evropë kanë treguar se dinë të fitojnë dhe në një fushë mitike si ajo e “Bernabeut”. Kështu ka ndodhur në shkurt të vitit 1962, kur ishte pikërisht “Zonja e Vjetër” që thyente mitin e Realit në Kupën e Kampioneve. Që nga themelimi i Kupës së Kampioneve, asnjë klub nuk kishte guxuar të fitonte në “Bernabeu”. Juventusi e bëri, edhe pse vetëm 1-0. Në vitin 2008 Juventusi fitonte pastër në Madrid 2-0. Edhe nëse do ta përsërisë një gjë të tillë nesër në mbrëmje, përsëri do të jetë e pamjaftueshme për biletën në gjysmëfinale. Juventusit i duhet vetëm një 3-0 ose çdo fitore me 3 gola diferencë për të shkuar më tej. Një mision i pamundur? Të presim, por të paktën Alegri e ka ndarë mendjen, në Madrid të gjithë në sulm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *