Plot 6 titullarë sot nuk janë gati. Edhe portieri durrsak ka shfaqur probleme me mesin dhe vendin e tij do ta marrë Teqja
Dita-ditës te Skënderbeu janë shtuar mungesat dhe sot ndaj Kukësit do të luajë pa shumë titullarë. Mungesa e fundit dhe e papritur është ajo e kapitenit Orges Shehi, i cili nuk ka udhëtuar me ekipin për në Kukës. Një mungesë e madhe për një ndeshje të tillë. Në seancën e djeshme, trajneri i portierëve Ilir Bozhiqi ka punuar vetëm me Aldo Teqjan dhe Marjo Dajsinanin, sepse Shehi ka ndjerë dhimbje në shpinë. Kështu, mungesat e korçarëve për ndeshjen e sotme bëhen 6, më shumë se gjysma e titullarëve. Skënderbeu ka pasur edhe herë të tjera mungesa, por jo kaq shumë. Stafi mjekësor ka punuar shumë me Shehin, por kapiteni nuk ia ka dalë, duke shtuar merakun e trajnerit Daja, sepse situata bëhet alarmante. Shumë rrallë Shehi ka munguar, ose është zëvendësuar në minutat e fundit. Edhe Lilaj e Radas mungojnë sot, kështu që shiriti i kapitenit me shumë mundësi do ti kalojë Kristi Vangjelit.
TË TJERËT – Mungesa e Shehit ishte e papritur, pasi është mësuar dje, ndërsa ato që diheshin janë Jashanica, Radas, Lilaj, Taku dhe Osmani. Ky i fundit ka udhëtuar me grupin për në Kukës, por mbetet në dyshim të fortë. Mund të sakrifikojë për të qenë së paku në stol. Osmani, nëse nuk arrin të qëndrojë as në stol, do të ishte mungesa e 6-të e Skënderbeut sot në Kukës.
TEQJA – Një ditë e veçantë do të jetë sot për portierin Aldo Teqja, i cili do ta nisë titullar. Ka ardhur momenti të mbrojë portën e Skënderbeut nga minuta e parë, në mungesë të Shehit. Kujtojmë që në ndeshjen e fundit të vitit të kaluar, në minutën e 89-të Shehi i kërkoi stafit teknik ndërrim, teksa Skënderbeu fitonte 3-1 ndaj Teutës. Shehi i la vendin Teqjas të luante atom pak minuta. Ky i fundit ka luajtur titullar në përballjet e Kupës së Shqipërisë, ndërsa sot është ndeshja e parë si titullar në kampionat.
Mungesat e Skënderbeut në Kukës
Bajram Jashanica
Sabjen Lilaj
Orges Shehi
Marko Radas
Afrim Taku
Tefik Osmani (?)