“Luftë” në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve mes klubit kuqezi dhe pesë “ish”-ëve. Veç Ilion Likës, vlonjatët paditen edhe nga Argent Halilaj, Hektor Idrizaj, Ardit Shehaj e Donjet Shkodra
Olsi Avdiaj
Ilion Lika dhe Flamurtari përballen në gjyq për rreth 6 milionë lekë të rinj. Më saktë “lufta” do të zhvillohet në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, pasi ish-lojtari kuqezi kërkon djersën e tij, që nuk i është dhënë nga klubi vlonjat. Në një nga mbledhjet e kaluara të komisionit juridik në FSHF, njëra prej çështjeve ishte ajo mes lojtarit të Tiranës, Ilion Likës dhe Flamurtarit. Çështja “Lika-Flamurtari”, jo vetëm që është regjistruar, por po diskutohet aktualisht në DHZK. Ndërkaq, mësohet se bëhet fjalë për borxhe të vjetra, më saktë për sezonin e fundit, që Ilion Lika ka luajtur kuqezi. Sipas burime në institucionin e futbollit, Lika kërkon paratë e sezonit të fundit, atë 2015-2015, pasi pothuajse për atë kampionat, nuk është paguar fare nga Flamurtari.
Jo vetëm kaq, janë rreth 55-60 milionë lekë të vjetër, që diskutohen në gjyqin mes Flamurtarit dhe Ilion Likës, gjyq që do të vendosë shumë shpejt se cili ka të drejtë. Bëhet me dije se Lika nuk ka dashur këtë zgjidhje dhe ka pritur një marrëveshje me Flamurtarin, që klubi vlonjat të paguante detyrimin që kishte ndaj zëvendëskapitenit të Tiranës. Por një marrëveshje nuk ka mbërritur dhe në këto kushte, Lika është detyruar që të çojë çështjen në gjyq. Për statistikë, Lika ka luajtur dy sezone në Vlorë. Në sezonin e parë 2014-2015, Ilioni është aktivizuar 2143 minuta në 24 ndeshje kampionati dhe 180 minuta në Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Në sezonin, 2015-2016, Lika është aktivizuar 1260 minuta në 14 ndeshje dhe 180 minuta në Kupën e Shqipërisë.
Të tjerët – Ilion Lika nuk është i vetmi lojtar që kërkon paratë nga Flamurtari. Janë edhe katër “ish”-ë të tjerë vlonjatë, të cilët kanë hedhur në gjyq(në DHZK), Flamurtarin. Bëhet fjalë për Argent Halilajn, Hektor Idrizajn, Ardit Shehajn e Donjet Shkodrën. Të gjithë këta futbollistë, nuk janë paguar nga Flamurtari dhe duke parë që nuk po shpërbleheshin prej vitesh, vendosën që çështjen ta çojnë në DHZK. Ky komision juridik ka vendosur që t’i bashkojë të gjitha çështjet, që do të diskutohen në bllok. Të gjitha borxhet e Flamurtarit së bashku, shkojnë rreth 200 milionë lekë të vjetër. Nëse vendimi do të jetë në favor të lojtarëve, atëherë goditja e radhës financiare për kuqezinjtë do të jetë shumë e madhe. Një borxh që shkon rreth 200 milionë lekë të vjetër do të “varrosë” edhe më shumë situatën financiare të klubit vlonjat, i cili prej vitesh përballet me detyrime e borxhe të vjetra të kohës së Bashkisë e jo vetëm…