Bekim Balaj ishte një goditje e madhe e merkatos së dimrit për Vllazninë, por edhe për futbollin shqiptar. Sulmuesi i Kombëtaren zgjodhi që të firmosi për qytetin e tij pasi e bindi projekti i ofruar nga Alban Xhaferi.
Ardhja e tij i ka emocionuar së tepërmi tifozët dhe ka shtuar besimin te lojtarët se titulli kampion mund të arrihet. Por deri tani, vetëm kaq, Bekimi nuk e ka treguar ende emrin që mban mbi fanellë në fushën e blertë.
Asgjë nuk është parë nga cilësitë e tij dhe pse duhet ta pranojmë që jemi herët, megjithëse kampionati po vjen gjithmonë e më tepër drejt fundit, koha nuk pret. Pyetja që shtrohet është nëse kjo vështirësi e madhe vjen për shkakun e përshtatjes apo të motivimit?
Fakt është se ndeshja e vetme ku Balaj ka qenë pikë e fortë e ekipit ishte ajo kundër Tiranës. Në stadiumin e mbushur, Bekimi kishte dëshirë dhe mundohej të nxirret më të mirën prej vetes në çdo aksion. Në ndeshjet e tjera, nuk ka shumë për t’u kujtuar. Por a mund të jetë si rasti i Taulant Seferit? Kur ky sulmues erdhi te Tirana, në sezonin e parë rezultoi “dështim” dhe më pas nisi shpërthimi i madh. /Sport Ekspres/