Nga ecuria te klubi i tij, tek e ardhmja, Ansi Agolli flet edhe për kombëtaren dhe natyrisht nuk mund të evitohet një ngacmim për zgjedhjet në FSHF
Intervistoi: Blerim Jahaj
Ansi Agolli është një rast për studim, sepse është shumë e vështirë që të gjesh futbollist që të qëndrojë në të njëjtin nivel gjatë gjithë karrierës, duke qenë një garanci në çdo ekip ku ka luajtur. Duket sikur trajnerët e përcaktojnë formacionin duke nisur nga kapiteni i kombëtares kuqezi, ajo kombëtare që në dekadën e fundit ka hedhur hapa gjigantë dhe natyrisht një kontribut të madh ka dhënë edhe Agolli. Prej vitit 2010 në Azerbajxhan, Ansi është bërë një ikonë e Karabagut, aq sa e konsiderojnë një azer të vërtetë dhe pakkush e sheh larg klubit, duke harruar që vitet ikin dhe Agolli nuk është më 23 vjeç. E megjithatë, pasaporta pak rëndësi ka, kur e sheh në fushë nuk e kupton fare që Agolli është më i moshuari i skuadrës, së bashku me mbrojtësin tjetër Sadikov. Për “Sport Ekspres” Agolli ka folur për ecurinë e karrierës së tij, planet e së ardhmes, kombëtaren, por nuk mund të mos e ngacmonim edhe për të famshmet zgjedhje për kreun e FSHF-së. Disa nga futbollistët e kombëtares kanë dalë në krah të Dukës, me postime në rrjetet sociale, çka është konsideruar fushatë, por Ansi pret shkurt, kur i përmendet kjo gjë: “Për fjalët nuk e vras shumë mendjen, unë them atë që ndiej, qoftë kjo e saktë, apo e gabuar. Nuk janë zgjedhje politike, që unë të akuzohem se po ndikoj te populli me fjalët e mia. Votojnë klubet, me sa di unë, dhe nuk besoj se ndonjë president klubi pret të dëgjojë Agollin për të vendosur cilin do votojë”.
– Sezon i ri, Karabag i vjetër, Ansi i vjetër. Sërish të parët, si ka mundësi nuk ngopeni?
– U bënë disa vite që skuadra është në rritje graduale. Hap pas hapi skuadra po merr frytet e punës së palodhshme që është bërë tek ky klub ndër vite. Disiplina dhe profesionalizmi janë motot kryesore në ekipin tonë, po kështu edhe objektivi, por që të arrish objektivin duhet të jesh i përqendruar çdo ditë, duke u stërvitur e djersitur fort dhe kur çdo gjë e bën në mënyrën e duhur, edhe rezultatet nuk do mungojnë.
– Dy muaj ndërprerje kampionati në Azerbajxhan, a je çlodhur ndopak? Si e përballon një sezon kaq të ngarkuar, kampionat i gjatë dhe Europë?
– Pa diskutim që pushimi është diçka e nevojshme, si për rikuperimin fizik, ashtu edhe atë psikologjik. Kam pasur kohën e mjaftueshme për të pushuar dhe për ta nisur vitin e ri me energji më të freskëta.
Dëshira për të bërë sa më mirë në çdo ndeshje të privon nga një jetë normale dhe fokusohesh plotësisht tek futbolli. Kur ke ngarkesë, shumë i rëndësishëm është rikuperimi që ti i bën organizmit, në mënyrë që të jesh sa më i freskët ndeshjen që vjen, ndaj një regjim i mirë është i domosdoshëm në një sezon me ndeshje të ngjeshura.
– Faza e skuadrës tënde zhvillohet në Antalia, ke takuar ndokënd nga shqiptarët që po përgatiten këtë muaj aty?
– Tek hoteli ku ne qëndrojmë është akomoduar edhe skuadra e Teutës. Më vjen mirë që shumica e skuadrave të Superiores shqiptare janë në Antalia për fazën përgatitore, që padyshim do t’u shërbejë mjaft për pjesën e mbetur të kampionatit.
– Zhvillimet në Shqipëri, i ndjek? Është kohë zgjedhjesh në FSHF dhe që tani është garë plot debate.
– Pak a shumë i kam ndjekur nëpërmjet internetit, me lajmet që dalin dhe me intervistat që jepen. E kam parë që është garë e ndezur, ndoshta tejkalohet masa, sepse flasim vetëm për sport, por jemi mësuar si popull.
– Si kapiten dhe si ‘ish’ i kampionatit shqiptar, je më i kualifikuar për të folur dhe krahasuar të shkuarën dhe të tashmen. A jemi ne rrugën e duhur si futboll?
– Kam rreth 13 vite që luaj me ekipin kombëtar A, por më parë kam luajtur edhe në kombëtaren U-19 dhe atë të 21-vjeçarëve. Në këto vite që kam qenë pjese e Kombëtares kam vënë re një zhvillim me hapa të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe rezultatet nuk kanë ardhur rastësisht. Nuk do futem në detaje, por disa të vërteta duhen thënë. Dikur futbolli shqiptar nuk bënte pjesë në asnjë hartë të Europës, ndërsa tani në sytë e të huajve shikohet me një mënyrë tjetër, e kjo jo vetëm për sa i përket kombëtares, por edhe për sa i përket kampionatit. Për ne lojtarët që luajmë jashtë, kur dëgjojmë fjalë të mira për futbollin shqiptar na bën te ndihemi krenarë e na jep një shtysë mjaft të madhe e sigurisht vërteton faktin që futbolli në Shqipëri është në rrugën e duhur, pa diskutim.
– Shumë kolegë të tutë kanë dalë pro Dukës në këto zgjedhje. Oportunizëm, apo mendimi i futbollistëve vlen më shumë, duke qenë se e njihni prej vitesh futbollin tonë dhe ndryshimet në kombëtare, infrastruktura, organizimi, etj?
– Pa diskutim që kush ka arritur të jetë futbollist në kohen që Duka ka qenë president i ka parë edhe më mirë ndryshimet. Çdo ish-futbollist apo futbollist aktual i Kombëtares shpreh atë që ka parë dhe po sheh. Askush nuk flet për interesin personal apo për t’i bërë mirë federatës, sepse nuk është fushatë ku voton populli i thjeshtë, por sepse këto ndryshime janë të dukshme nga viti në vit. Për fjalët nuk e vras shumë mendjen, unë them atë që ndiej, qoftë kjo e saktë, apo e gabuar. Votojnë klubet, me sa di unë, dhe nuk besoj se ndonjë president klubi pret të dëgjojë Agollin apo lojtarët e tjerë për të vendosur cilin do votojë. Secili nga ne ka punën e vet tek skuadra ku luan, por ama askush nuk mund të ma fshijë mua kënaqësinë që më jep kur shikoj futbollin e vendit tim në nivele te larta. Të jemi realistë, Shqipëria nuk ka shumë gjëra për t’u krenuar përveç futbollit. Le të dalë dikush e të thotë që kemi avancuar në ndonjë sport tjetër, apo në ndonjë sferë tjetër të jetës, me hapa kaq të mëdhenj. Shqipëria ka ecur përpara në shumë drejtime, por askund aq sa futbolli. Unë kam rreth 15 vite që e njoh Dukën. Kam marrëdhënie njerëzore dhe profesionale mjaft të mira me të. E kam parë vetë se sa pranë i ka qëndruar skuadrës ne momente të vështira dhe pasioni që ai ka për punën që ka bërë në Federatën Shqiptare të Futbollit, institucionin më frytdhënës në Shqipëri.
– E ardhmja personale, pas disa vitesh e sheh veten si trajner, apo në ndonjë rol tjetër? Nëse te vjen ftesë nga FSHF, do ishe gati të bëheshe pjesë e një projekti, apo ekziston mundësia që edhe ti, si Tare e shumë të tjerë, të vazhdosh të punosh e të jetosh ndoshta jashtë?
Për momentin jam nën kontratë me Karabag dhe vëmendja ime totale është që ta ndihmoj sa më shumë ekipin të arrijë objektivat që ka, si në kampionat, ashtu edhe në përfaqësimin në Europë. Në të ardhmen do kem mundësi t’i shikoj më lirshëm mundësitë e mia, por sigurisht që ato do jenë brenda futbollit.
– Rinovimi i përfolur i Kombëtares, a mendon se kemi mjaftueshëm talente për te ardhmen? A punojmë sa duhet me moshat dhe infrastrukturën dhe si e sheh te ardhmen e Kombëtares, duke qene se herët a vonë nuk do të kemi shumë prurje nga jashtë?
– Për momentin Kombëtarja ka një grup të konsoliduar, me një mesatare moshe mjaft të re. Sigurisht që me kalimin e kohës grupi do freskohet me prurje te reja dhe në qarkullim ka mjaft lojtarë cilësorë dhe të talentuar. Unë jam një futbollist i dalë nga akademia e Tiranes e do kisha shumë dëshirë të shikoja akoma më shumë futbollistë të dalë nga akademitë e vendit. Sigurisht që një punë mjaft e mirë është bërë, por në futboll limitet janë bërë për t’u thyer, ndaj duhet akoma më shumë punë, akoma më shumë disiplinë e akoma më shumë profesionalizëm nga të gjithë, në mënyrë që nga akademitë të dalin sa më shumë lojtarë, por ç’është më e rëndësishmja, të jenë cilësorë, në mënyrë që t’i shërbejnë në një të ardhme ekipit kombëtar A.
– Ambiciet për kualifikim ne Euro 2020, a janë të justifikuara? Apo duhet pritur shorti i Nations League dhe kualifikueseve?
– Ambicia duhet të jetë dhe është normale të jetë. Ambiciet bazohen tek forca e grupit dhe Shqipëria ka një grup që të bën të jesh optimist. Pa diskutim që kjo skuadër ka potencial të madh dhe shpeshherë i ka kapërcyer limitet e veta, por duhet të presim edhe pak. Koha për t’u përgatitur është mëse e mjaftueshme dhe deri tani çdo gjë ka shkuar mjaft mirë. Uroj që çdo gjë të shkojë sa më mirë edhe në të ardhmen.