Aktualisht jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe një pjesë e mirë e lojtarëve kanë vendosur të agjërojnë. Lidhur me ndikimin që agjërimi sjell në trupin e futbollistëve, ka folur mjeku Gazmend Koduzi. Ky i fundit ishte pjesë e emisionit “Ora Sport” në “Ora TV” përmes një lidhjeje direkete, ku ka treguar se çfarë ndikimi ka agjërimi gjatë muajit të Ramazanit te futbollistët.
“Trupi i njeriut nuk punon pa marrë asgjë. Sidomos për sportistët, ai që quhet karburanti i trupit janë karbohidratet. Karbohidratet merren me anë të ushqimit të përditshëm. Për futbollistët që agjërojnë, kjo ndikon në nivelin e karbohidrateve në organizëm.
Po shikoja një studim që ishte bërë në Algjeri me dy ekipe. Ishin marrë në studim lojtarët para, gjatë dhe pas Ramazanit. Ishin vënë re ndryshime në performancën e tyre. Ndryshojnë oraret e ushqyerjes dhe të gjumit. Kjo ndikonte te performanca e lojtarëve. Me performancë quajmë shpejtësinë, rekuperimin pas ndeshjes. Sigurisht që ka anë pozitive, pasi i disiplinon njerëzit, i bën më të fortë psikologjikisht. Gjatë një ndeshjeje futbolli, lojtarët harxhojnë rreth 3000 kilokalori”, është shprehur Gazmend Koduzi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/