Shumë pak kohë ka mbetur deri në mbylljen zyrtare të merkatos së dimrit dhe drejtuesit e Skënderbeut, duke parë gjendjen e ekipit në Gjirokastër, kanë shtuar përpjekjet për ta përforcuar ekipin në mbrojtje dhe në sulm. Përforcimi i mbrojtjes në fakt lidhet më shumë me një shitje të mundshme të Jashanicës, i cili pritet të bashkohet me Latifin tek Akademi Pushkash në Hungari.
Nga ana tjetër, kërkohet një lojtar edhe për sulmin dhe së fundi po qarkullon emri i Amido Balde, me një të kaluar të Selltiku dhe i kërkuar edhe nga Kukësi, por shqetëson një e kaluar problematike e tij në aspektin e shëndetit dhe ka një vit pa futboll. Mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë këto ditë në lidhje me merkaton e Skënderbeut, por e sigurt është se nëse vjen ndonjë lojtar, ai është i huaj. Nga drejtuesit e klubit korçar nuk ka asnjë prononcim në lidhje me këtë çështje, pasi parapëlqejnë të mos flasin për gjëra që ende nuk i kanë konkretizuar.
Humbja me Luftëtarin i ka bërë të mendohen sërish drejtuesit e Skënderbeut dhe me shumë mundësi do të ketë të paktën një goditje deri më 31 janar, kur mbyllet merkatoja dimërore. Në sulm luan Xhejms dhe është afruar edhe Krasniqi nga Apolonia, por duke parë problemet fizike të Ali Soue, ka shumë mundësi që te Skënderbeu të vijë edhe një lojtar tjetër për sulmin.