Pas largimit nga Skënderbeu në dhjetor të vitit të shkuar, Afrim Taku nuk u kthye më përtej premtimeve dhe lajmërimeve nga klubi. Mesfushori është stabilizuar përfundimisht në Amerikë dhe nuk ka më mundësi që të ndahet mes Superiores dhe familjes në Amerikë, ndaj tashmë ka gjetur klub në Tokën e Premtuar.
Dje mesfushori firmosi për Tampa Bay Roëdies, klub i divizionit të dytë amerikan, USL. Bëhet fjalë për një kampionat anormal, ndryshe nga sistemi evropian, sepse nuk luhet për t’u ngjitur në MLS nëpërmjet arritjeve sportive. Praktikisht, edhe ekipet kampione në USL nuk shkojnë dot në MLS, nëse nuk përmbushin disa kritere mjaft të ndërlikuara, në aspektin financiar dhe atë të infratrukturës, pa harruar se duhet një numër i madh tifozësh në stadium.
Megjithatë, duhet theksuar se USL është kampionat profesionist, ndaj edhe pagat janë mjaft të larta, aq sa te Tampa Bay luan edhe një emër i njohur si anglezi Xho Kol, apo ish-mesfushori i Volfsburgut Marcel Shefer, 10 sezone në Bundesligë dhe një futbollist shumë i rëndësishëm për Ujqërit.
Tampa Bay në këtë moment është në mesin e tabelës dhe po lufton për të shkuar në play-off.