Partizani e mori huazim 1-vjeçar nga ekipi italian. Paga e lartë dhe përformancat e dobëta kanë bërë që drejtuesit të duan prishjen e kontratës, por duket se largimi do të hasë disa probleme
Partizani pritet të jetë mjaft aktiv në merkaton e janarit, pavarësisht se Drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama deklaroi të kundërtën. Zyrtari i kuq dha siguri se lojtarët do të qëndrojnë, por diçka e tillë nuk është e vërtetë, pasi “demat” kanë larguar një pjesë të mirë të mirë të ekipit dhe kanë ende lojtarë që nuk i kanë në plane.
Mesfushori Kristjan Adorjan është futbollisti i radhës që pritet të largohet nga skuadra e kryeqytetasve. Trajneri Sulejman Starova nuk e ka në planet e tij dhe me shumë mundësi 24-vjeçari do e mbyllë aventurën e tij me të kuqtë. Megjithatë, diçka e tillë do të hasë në disa pengesa, pasi për rikthimin e Adorjanit nuk mund të vendosë vetëm klubi i Partizanit, pasi lojtari është ende në pronësi të Novarës.
ARDHJA E ADORJANIT – Mesfushori u afrua si ylli i skuadrës së Partizanit. Hungarezi arriti të siguronte një kontrate të majme dhe loja e “demave” ishte e përqendruar në këmbët e tij. Ish-trajneri Mark Juliano i dha rolin e dirigjentet të skuadrës, 24-vjeçari e mori si detyrë, por nuk arriti asnjëherë të ngjitej në nivelet e pritura prej tij. Ai nuk bindi drejtuesit dhe me ardhjen e Starovës humbi edhe formacionin. Tekniku 62-vjeçar i dha mundësinë për të treguar veten, por nuk ia doli mbanë që të binde teknikun shqiptar. Paraqitja mjaft e dobët e Adorjanit në Kupën e Shqipërisë kundër Pogradecit bëri që të vendosej përfundimisht fati i tij.
PARTIZANI – Drejtuesit e klubit duan të largojnë mesfushorin Kristjan Adorjan. Ai nuk i ka bindur aspak dhe paga e tij e lartë ka bërë që të kuqtë të mos e kenë më në plane. 24-vjeçari është i bindur edhe vetë se me shumë mundësi nuk do të qëndrojë, pasi nuk ka hapësira për të dhe me prurjet e reja të merkatos së janarit, mundësitë për të luajtur limitohen. Megjithatë, ka një problem që mund të ndikojë në pengimin e transferimit.
NOVARA – Partizani dhe klubi i Novarës kanë arritur marrëveshjen në fillim të sezonit për huazimin e Kristjan Adorjanit për një sezon. Marrëveshja mes palëve mbyllet me 30 qershor dhe për të kthyer lojtarin mbrapsht duhet të merret edhe miratimin e Novarës. Kjo bën që Adorjani të mund t’i ngecë edhe në derë skuadrës së Partizanit, pavarësisht se shanset që diçka e tillë të ndodhë janë të vogla. Gjithsesi, futbollisti dhe klubi kanë nisur negociatat për prishjen e kontratës. Të dyja palët kanë kërkesat e tyre, por në fund me shumë mundësi do të mbyllet gjithçka me sukses.