Ademi: Së shpejti, vendime konkrete për privatizimin e Vllaznisë

Sipas kryebashkiakes procesi i privatizimit po ecën me ritme të kënaqshme dhe që shumë shpejt priten edhe hapat konkretë për këtë drejtim

Privatizimi i klubit të futbollit Vllaznia ka kohë që ka marrë vëmendje të madhe mediatike. Për procesin që po kryhet në instancat përkatëse të miratuara nga ana e qeverisjes vendore ka folur dje edhe kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi. Një prononcim ky, që duket se ka ardhur nga ngacmimet e gazetarëve, duke parë që gjatë periudhës së fundit në drejtim të kuqebluve ka pasur donacione dhe sponsorizime të ndryshme.

“Bashkia, në fakt, disa herë ka përfituar donacione, apo sponsorizime. Kjo ka ndodhur gjatë të gjithë viteve dhe në mënyrë të rregullt. Që do të thotë, se çdo kush që mund të ofrojë diçka në vlerë për ekipin mund ta bëjë këtë sigurisht përmes pjesës të kalimit në llogarinë bankare të klubit të futbollit Vllaznia për qëllimin të cilin e jep sponsorizimin, të cilin e respektojmë. Dhe pastaj kryhen të gjitha procedurat sipas ligjit të transferimeve bankare”, është shprehur kryebashkiakja-presidente e Vllaznisë, Ademi.

Në lidhje me sponsorizimet që kuqeblutë kanë pasur gjatë periudhës së fundit, Ademi thotë se ato nuk ndikojnë në procesin e privatizimit. Sipas saj, procesi i ankandit është krejtësisht një procedurë tjetër, i cili nuk varet nga historiku dhe nuk ndërhyn fare në procedurën e privatizimit. “Procedura e ankandit është një procedurë ligjore, e cila bëhet në mënyrë transparente. Ti shpall të gjithë dokumentacionin. Mblidhen të gjithë ata që janë ofertuesit dhe do të bëhet një vlerësim i rregullt sikurse ligji e parashikon”, thotë Ademi.

Sipas kryebashkiakes Ademi, procesi i privatizimit po ecën me ritme të kënaqshme dhe që shumë shpejt priten edhe hapat konkretë për këtë drejtim. “Në fund të muajit prill, mendoj se ne do të kemi rezultatet e para. Kjo edhe në varësi të punës që do të kryejnë vetë vlerësuesit për të bërë të mundur, që ne të kemi një dokument, i cili do t’i paraqitet Këshillit Bashkiak në muajin maj. Kjo është parashikuar në kontratë dhe besoj se do të ecim me ato hapa që ne kishim parashikuar”, thotë Ademi, që vazhdon. – “Po ndjekim të gjithë hapat ligjorë për të bërë një procedurë, konkurrim të drejtë dhe një mundësi për hapjen drejt tregut të klubit. Këtë parashikon ligji. Sa më parë të ecim me procesin, qoftë të vlerësimit, pra me zbatimin e kësaj kontrate nga ana e vlerësuesit, aq që më shpejt do të ecin edhe hapat e tjerë. Por jemi në ato limite kohore, që ne kishim parashikuar”, përfundon kryebashkiakja-presidente, Voltana Ademi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *