Vasil Shkurtaj është kthyer sërish protagonist në “Abissnet Superiore”. Sulmuesi shtatlartë ka gjetur formën e tij fizike maksimale dhe këtë po e dëshmon me 3 golat e shënuar së fundmi me fanellën e Laçit. Në një intervistë për “Sport Magazine”, të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News”, Shkurtaj thotë se Mezani po i jep besimin e duhur për të treguar vlerat e tij. Lojtari 30-vjeçar ka treguar mbrojtësin më të vështirë që ka hasur në karrierë, si dhe ëndrrat më të mëdha që mbart me vete sa i përket karrierës së tij.
“E vërteta është që kam filluar të luaj në formacion nga momenti që ka ardhur profesor Mezani. Më ka dhënë mundësinë të tregoj atë çfarë mund të bëj në fushë. Objektivi i Laçit e dimë shumë mirë që çdo vit është të arrijë ndeshjet e Europës. Kemi mundësi. Jemi afër me ekipet e tjera. Kemi ekip të mirë.
(Kampionati) I çuditshëm duket. Zakonisht në pjesën e dytë kanë filluar ekipet që janë përpara të shkëputen, por për momentin janë të gjitha aty. Nuk dihet kush do fitojë në fund. Mbrojtësi më i vështirë? Më të fortë kam pasur kundër Olimpiakosit, kundër Abidalit. Një nga ata ka qenë edhe Hoxha që ka qenë te Durrësi, Albi Alla që ka qenë të Flamurtari.
Presidenti është afër ekipit gjithmonë, edhe pjesa tjetër e stafit. Është një ekip që flenë gjumë dhe zgjohen vetëm për ekipin, mendojnë vetëm për ekipin. Duan të jenë afër dhe kjo është gjë e mirë.
Ëndrra ime e madhe ka qenë dhe kurrë s’do humbasë, të luaj për Kombëtaren. Ndoshta më përpara mund të kisha një mundësi të luaja, do të më pëlqente shumë. Patjetër edhe që të luaj diku jashtë. Në Greqi ndoshta, ose në Qipro, aty ku kam lindur”, ka deklaruar Vasil Shkurtaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/