A të jep biletë Botërori? Llogaritë e Ligës së Kombeve, Shqipëria e ka më mirë të mos fitojë grupin

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria do të humbiste me shifrat 0-1 ndaj Lituanisë në mbrëmjen e djeshme, atëherë kur askush nuk e priste një rezultat të tillë. Kjo pasi kuqezinjtë vinin nga fitorja në shifrat 0-2 ndaj Bjellorusisë, pikërisht në transfertën ku nuk kishim fituar kurrë më parë.

Por si funksionon Liga e Kombeve për Botërorin? Këtë herë flitet për një skemë shumë më të ngatërrueshme se ajo e Europianit, duke shkaktuar edhe një konfuzion me informacionet. Shanset që Shqipëria të mbërrijë në Botëror nga Liga e Kombeve nuk kanë ndryshuar shumë nga përpara takimit me Lituaninë pasi kanë qenë gjithmonë minimale. Si mund të mbërrish në Botëror nga Liga e Kombeve? Fillimisht duhet të fitosh grupin, si në rastin konkret ku Shqipëria duhet të dalë në vendin e parë.

Më pas duhet të fitohen dy përballjet direkte me fituesit e dy grupeve të mbetura, për t’u shpallur si kampioni i Ligës C(përfshin 4 grupe në total). Deri këtu është gjithçka e qartë pasi në këtë mënyrë Kosova po kërkon Europianin, ku i duhet të kalojë fillimisht Maqedoninë e Veriut dhe finalen, për të fituar biletën e prestigjit. Por në këtë Ligë të Kombeve që të ofron mundësinë për Botëror është një histori krejtësisht tjetër.

Nga kualifikueset e Botërorit që do të zhvillohen më vonë do të jenë 10 vendet e para që do të mbërrijnë direkt në grupe dhe 10 vendet e dyta që do të shkojnë në “Play-Off”. Këtyre të fundit do t’i bashkohen edhe dy fitueset më të mira të grupeve nga Liga e Kombeve. Kështu do të mblidhen 12 Kombëtare për t’u ndeshur mes tyre dhe për të siguruar vetëm 3 bileta që të dërgojnë në Botëror.

Nga do të dalin dy fitueset e Ligës së Kombeve? Përparësi do të kenë fillimisht fitueset e katër grupeve A dhe katër grupeve B, për të mbërritur më pas në Ligën C ku ndodhet Shqipëria. Por në Ligën A ndodhen Kombëtare me emër të madh dhe nëse ato arrijnë që të dalin në vendin e parë ose të dytë në kualifikuese, atëherë hapin vendin dhe krijojnë mundësinë që edhe te Liga C të kenë mundësinë për të mbërritur në “Play-Off”.

Ndërkohë në Ligën B janë duke kryesuar aktualisht Kombëtare si Rumania, Skocia, Rusia dhe Uellsi. Mjafton që dy prej këtyre Kombëtareve nëse Liga e Kombeve përfundon kështu, të marrin vendin e tretë në kualifikueset e grupeve dhe Liga C nuk do të dërgojë asnjë Kombëtare më tej në Botëror.

Gjithsesi Shqipërisë i shërbejnë pikët dhe fitoret për të luajtur ato pak shanse në këtë format disi të ngatërrueshëm dhe për t’u rritur edhe në renditjen e përgjithshme të UEFA-s. Por nëse flasim vetëm për Ligën e Kombeve, më shumë kuqezinjëve do t’i interesonte që të qëndronin në Ligën C edhe për sezonin e ardhshëm kur të zhvillohen përballjet për biletën e Europianit. Për ta bërë një gjë të tillë duke me patjetër që të mos fitohet grupi, pasi të kalon në Ligën B. Kështu do të mjaftonte vetëm që Shqipëria të dilte fituese e Ligës C për të mbërritur sërish në Europian, ashtu siç do të ndodhte më parë në Francë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *