Vetëm një stërvitje me ekipin e Legias i është dashur Ernest Muçit që të fitonte zemrat e drejtuesëve të klubit polak. Trajneri do të nxitonte për të bërë edhe një koment që dukej disi i ekzagjeruar: “Ky është Lionel Mesi ynë. Nuk do të thirret Muçi, por Mesi”.
E si për të treguar se nuk ishte ngatërruar me fjalët e thëna më herët, tekniku i Legias do të jepte edhe arsyet se përse e krahasonte talentin shqiptar me yllin argjentinas. Menjëherë do të vinte debutimi i Muçit në ndeshjen e parë pasi u transferua nga Tirana, duke luajtur për 45 minuta të plota kundër Gornik.
“Është shumë gati fizikisht. Por Muçi tregon se është një tip lojtari inteligjent dhe jo i zakontë për futbollin polak. Kishte probleme me lojën fizike të Gornik”. E menjëherë për sulmuesin shqiptar filloi efekti i kundërt.
Në ndeshjen e radhës do të luante vetëm 8 minuta kundër Piast, në atë humbje në shifrat 1-2, ndërsa në përballjen kundër Slask nuk do të aktivizohej për asnjë minutë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në ndeshjen e sotme, atje ku Legia fitoi 3-2 ndaj Ëarta Poznan.
Kampionët e Polonisë u ndeshën me kundërshtarin që ndodhej në mesin e tabelës, por sërish nuk është zgjedhur që të aktivizohet Ernest Muçi. Besim i menjëhershëm i treguar pa futur mirë këmbët te Legia dhe ulje në stol në momentin kur mendohet se futbollisti shqiptar do të kishte fituar fanellën e titullarit. Padyshim që vendimet e trajnerit dhe për më tepër fjalët e tij mbeten disi të çuditshme. Nuk do të kalojë shumë kalojnë shumë kohë që te Legia të pyesin: “A e kemi luksin për të mbajtur Mesin në stol?”. /Sport Ekspres/