Presidenti amerikan Donald Tramp u mundua të bënte humor në lidhje me një kandidim të mundshëm të Kristiano Ronaldos për president të Portugalisë, por përgjigja që mori nga presidenti portugez Marcelo Rebelo de Sousa ia ngriu buzëqeshjen, duke nxjerrë në pah ndryshimet e theksuara në kulturën politike të dy vendeve.
Në një takim zyrtar në Uashington, Rebelo de Sousa po i tregonte Trampit për Ronaldon: “Kur të shkosh në Rusi për të takuar Putinin, mos harro t’i thuash që Portugalia ka lojtarin më të mirë në botë, që quhet Kristiano Ronaldo, ndaj ka shpresa të mëdha për të fituar Botërorin”.
Tramp u mundua të bënte humor: “Meqë qenka kaq i mirë, a do garojë Ronaldo kundër jush për postin e presidentit të Portugalisë?”.
Presidenti portugez ia ktheu me një batutë therëse: “President, duhet të të them diçka: Portugalia nuk është si Amerika. Jemi pak ndryshe”.
Ironia është e qartë, sepse vetëm në Amerikë ndodh që një aktor të bëhet menjëherë president, apo një biznesmen si Donald Tramp, pa asnjë eksperiencë politike e asnjë shkollim politik, të vendosë të kandidojë për president dhe të fitojë, pa pasur asnjë karrierë në ndonjë parti.