Guardiola i ka dalë në mbrojtje Kristiano Ronaldos. Trajneri spanjoll, në një intervistë me Romarion, ka kritikuar Federatën Portugeze të Futbollit. Sipas tij, një karrierë si ajo e Ronaldos nuk mund të gjykohet nga dy muajt e fundit apo nga raportet individuale. Guardiola ka bërë thirrje që palët të ulen dhe t’i japin 5 herë fituesit të Topit të Artë një lamtumirë dinjitoze, ashtu siç ai vërtetë e meriton.
“Federata Portugeze e Futbollit duhet të sigurojë një fund dinjitoz për karrierën e Kristiano Ronaldos. Të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje për të garantuar një lamtumirë të denjë. Kristiano Ronaldo nuk duhet të largohet nga kombëtarja portugeze në këtë mënyrë. Ata nuk mund ta lënë të ikë kështu.
Ai ka qenë një figurë jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për veten e tij dhe Portugalinë, por edhe për brezat e ardhshëm të lojtarëve portugezë. Ata duhet të kuptojnë se Kristiano Ronaldo meriton të largohet sipas kushteve të tij. Ka lojtarë të jashtëzakonshëm dhe Kristiano Ronaldo është një prej tyre; prandaj, kjo situatë duhet të korrigjohet.
Nëse e korrigjojnë apo jo, kjo nuk është puna ime, por ata patjetër duhet ta bëjnë. Kështu është. Ajo që ai ka arritur në botën e futbollit meriton një fund ndryshe. Duhet të ketë një festim ku ai të ndiejë dashurinë e bashkatdhetarëve të tij, dhe ai, nga ana tjetër, duhet gjithashtu të marrë nismën e të thotë: “Le ta lëmë pas të shkuarën”.
Një karrierë e tërë nuk duhet të gjykohet bazuar në një apo dy muaj, ose për shkak të një mosmarrëveshjeje apo keqkuptimi me një ose dy individë. Ka karriera plot arritje që meritojnë të ruhen dhe të mbrohen. Lojtarët e mëdhenj, ata që kanë qenë vërtet në kulmin e lojës së tyre, meritojnë të largohen me kokën lart. Së pari, sepse e kanë fituar këtë përmes gjithçkaje që i kanë dhënë sportit; vetë futbolli u detyrohet atyre këtë njohje. Dhe së dyti, për hir të fëmijëve që po hedhin hapat e parë në fushë, të cilët mund të thonë: ‘Dua ta mbyll karrierën time si Romario, Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Paolo Maldini, apo ndonjë nga të mëdhenjtë e tjerë përgjatë historisë’. Kështu duhet të jetë”, ka thënë Pep Guardiola./Sport Ekspres/