Presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj situatës dhe paraqitjeve të fundit të skuadrës kryeqytetase, duke dërguar një mesazh të fortë për futbollistët dhe të gjithë pjesëtarët e stafit. Përmes një deklarate publike, kreu i klubit blu ka shprehur pakënaqësinë për atë që po tregon ekipi në fushën e lojës, duke theksuar se paraqitje të tilla nuk përfaqësojnë historinë dhe ambiciet e Dinamos.
Bardhi nuk i ka kursyer kritikat, duke vënë në dukje se futbollistët kanë kushte dhe mbështetje të rëndësishme, por kjo nuk po përkthehet në rezultate dhe performancë në fushë.
“Kjo nuk është Dinamo dhe kjo paraqitje është e papranueshme! Fanella legjendare e këtij klubi kërkon sakrificë, karakter dhe uri për fitore. Jeni ndër më të paguarit në Shqipëri, në klubin më korrekt, por në fushë nuk po i përgjigjeni as besimit, as sakrificës sonë”, shprehet presidenti i Dinamos.
Mesazhi i tij bëhet edhe më i fortë kur flet për përgjegjësinë që duhet të mbajë secili prej atyre që janë pjesë e skuadrës. Bardhi paralajmëron se nuk do të ketë më tolerim për ata që nuk japin maksimumin për fanellën blu.
“Nuk ka më justifikime! Kush nuk e ndien këtë fanellë dhe nuk jep gjithçka për të, lojtar apo pjesëtar i stafit, të largohet që nesër. Dinamo nuk mban askënd me zor!”, është paralajmërimi i prerë i kreut të klubit kryeqytetas.
Kjo deklaratë përbën një sinjal të qartë se në kampin dinamovit kërkohet reagim i menjëhershëm. Bardhi kërkon më shumë karakter, përkushtim dhe përgjegjësi nga skuadra, duke e bërë të qartë se emri dhe fanella e Dinamos nuk mund të mbrohen vetëm me fjalë, por duhet të nderohen në fushën e lojës. /Sport Ekspres/