Surpriza e bukur e Skënderbeut, mundin Egnatian dhe ngjiten në vendin e tretë

Surprizë në Korçë! Skënderbeu ka arritur një fitore shumë të rëndësishme ndaj Egnatias, duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0 në përballjen e vlefshme për javën e 12-të të Abissnet Superiore. Një sukses me shumë vlera për korçarët, të cilët i shkaktuan një humbje të dhimbshme kryesuesve të kampionatit.

Vendasve u mjaftuan vetëm dy minuta për të gjetur rrugën e rrjetës. Pas një goditjeje nga këndi, ishte mbrojtësi Lagonidis ai që kërceu bukur dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën në stadiumin e Korçës.

Egnatia u përpoq të reagonte, por nuk arriti të gjente hapësirat e duhura për të vendosur baraspeshën. Situata u komplikua edhe më shumë për kampionët në fuqi në minutën e 43-të, kur kapiteni Albano Aleksi mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me dhjetë lojtarë.

Në pjesën e dytë, rrogozhinasit tentuan të riktheheshin në lojë, ndërsa Adjessa arriti të shënonte në minutën e 59-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në fund, Skënderbeu administroi avantazhin dhe siguroi tri pikë të arta.

Me këtë fitore, korçarët ngjiten në vendin e tretë me 17 pikë, ndërsa Egnatia mbetet në kuotën e 27 pikëve. Një rezultat që rihap garën për titull dhe u jep rivalëve mundësinë për të shkurtuar diferencën me kryesuesit. /Sport Ekspres/