Elia Caprile është një alternativë e re për portën e Kombëtares shqiptare. Portieri italian ka marrë pasaportën shqiptare prej bashkëshortes së tij, çka e lejon atë të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Gardiani i Cagliari-t ka dhënë një intervistë për “Corriere della Sera”-n, ku ka zbuluar se çfarë e shtyn të japë më të mirën në fushë dhe mënyrën se si vendosi të largohej nga Napoli i Conte-s.
“Dëshira për t’ua mbyllur gojën atyre që, kur isha fëmijë, nuk do të kishin vënë asnjë qindarkë bast për mua. Kjo është forca që më ka shtyrë gjithmonë përpara. Është zjarri që ende e kam brenda vetes.
Jam i përqendruar te Cagliari, ky është ‘Champions League’-i im. Jemi një skuadër me karakter. Mund të na ndodhë gjithçka, por nuk dorëzohemi kurrë. Trajneri Pisacane na thotë gjithmonë: ‘Kur gjërat vështirësohen, qëndroni drejt. Era dhe stuhia, herët a vonë, do të kalojnë’.
Largimi nga Napoli i Conte-s? Në verë, ai më tha: ‘Qëndro këtu dhe konkurro me Meret-in për vendin e titullarit’. Ai ishte i drejtpërdrejtë, i tillë isha edhe unë. Ai zgjodhi Alex-in, dhe bëri mirë, duke qenë se fituan ‘Scudetto’-n. Por unë isha 23 vjeç dhe kisha një dëshirë të madhe për të luajtur. Ishte një nevojë fizike. Kur nuk kam ndeshje të dielën, ndihem sikur më mungon një pjesë e vetes. Në janar, i thashë se doja të largohesha. Në fillim nuk e priti mirë, por në fund e kuptoi”, ka thënë Elia Caprile./Sport Ekspres/