Edon Zhegrova është kthyer në një çështje diskutimi te Juventusi. Sulmuesi shqiptar ka zhvilluar paraqitje mjaft të mira sa herë ka hyrë në fushën e lojës. Tifozët kanë kërkuar aktivizimin e tij nga minuta e parë, por Spaleti refuzon ta bëjë një gjë të tillë. Trajneri i Juventusit ka shpjeguar arsyet e tij në emisionin “La Domenica Sportiva” në “Rai Sport”. Spaleti ka thënë se Zhegrova luan mjaft mirë kur hyn nga stoli, por në situata sfiduese gabon. Ai ka nënvijëzuar faktin se lojtarit shqiptar i mungon balanca, çka e penalizon për të fituar fanellën e titullarit.
“Ndodhin gjëra si në rastin e Zhegrovës. E sheh në ndeshjen e mëparshme dhe mendon: ‘Ai duhet të jetë titullar’. Ndonjëherë, ai luan mirë në gjysmëorën e fundit. Por pastaj, kur e vendos në situata ‘sfiduese’, në ndeshje ku herë sulmon njëra palë e herë tjetra, ose ku duhet të mbrohesh dhe fillon të gabosh, gjërat ndryshojnë. Një gjë e bën mjaft mirë, ndërsa një tjetër jo aq mirë. Nuk arrijmë kurrë të kemi një ekuilibër të plotë”, ka thënë Luçiano Spaleti./Sport Ekspres/