Erjon Vishkulli, tifozi i TKZ dhe i Shqipërisë, në idealin e tij për kombin, po lufton në sallën e operimit me humbjen e shikimit. Aktualisht do të bëhet një tjetër ndërhyrje për të, ndërsa ende vazhdon rreziku për humbjen e shikimit. Gjithcka ndodhi në protestën e djeshme në Tiranë, ku pamjet kanë ngjallur reagime të shumta. Nga ana tjetër presidenti i FSHF, Armand Duka, ka reaguar në Instagram ku ka njoftuar se Federata është e gatshme që të ofrojë ndihmë konkrete për rikuperimin e Erjonit si një mbështetës i madh i Kombëtares tonë.
“Më ka prekur thellë plagosja e rëndë e Erjon Vishkullit, pjesëtar i Tifozëve Kuq e Zi dhe mbështetës i përkushtuar i Kombëtares sonë. Në këtë moment të vështirë, i shpreh Erjonit dhe familjes së tij afërsinë dhe solidaritetin tim. Federata Shqiptare e Futbollit është e gatshme të ofrojë ndihmë konkrete për trajtimin dhe rikuperimin e tij, në koordinim me familjen. Erjoni ka qenë pranë Kombëtares me zemër e pasion. Sot, familja kuqezi është pranë tij. Nga zemra, shërim sa më të shpejtë, Erjon”, shkruan Duka. /Sport Ekspres/